75 Mall Live Search
15:05 / E Mërkurë, 23 Dhjetor 2020 / Blerim

Kontributi në pandemi, Franca falë nënshtetësinë

Rreth 700 të huaj që punuan këtë vit në vijën e parë të betejës kundër Covidit-19 kanë marrë nënshtetësinë franceze me procedurë të përshpejtuar.


Ministria e Brendshme e Francës njoftoi se emigrantët, të cilët shërbyen si sanitarë, si punëtorë dyqanesh, kujdestarë fëmijësh apo si pjesë e stafit shëndetësor antikovid, kanë dëshmuar zotim kundrejt kombit francez dhe prandaj janë shpërblyer për shërbimin e tyre.

Një total prej gati 3 mijë personash mësohet se kanë aplikuar për nënshtetësinë në këmbim të ekspozimit ndaj rreziqeve të larta të Covidit-19.

Mbi 70 prej tyre e fituan të drejtën në tre muajt e fundit, ndërsa afro 700 të tjerë janë në proces e sipër për të marrë nënshtetësinë.


Franca është ndër 10 vendet e botës me më shumë të infektuar nga koronavirusi i ri, me gati 2 milionë e gjysmë raste dhe 62 mijë viktima.


Në rrethanat normale, marrja e nënshtetësisë franceze kërkon që personi të ketë jetuar në vend për të paktën pesë vjet, të ketë të ardhura të qëndrueshme dhe të tregojë se është integruar me shoqërinë franceze.
Për personat që punojnë në vijën e parë të betejës kundër Covidit, kriteri i qëndrimit është shkurtuar në dy vjet.


Vitin e shkuar, nënshtetësinë franceze arritën ta fitonin mbi 112 mijë veta, ndërkohë që vendi llogarit rreth 6 milionë e gjysmë emigrantë gjithsej.
Franca e ka aplikuar edhe më parë dhënien e shtetësisë për arsye trimërie apo kur personat kanë treguar vetëmohim, siç ishte rasti i vitit 2018 kur një shtetas nga Afrika u vlerësua pse shpëtoi një foshnjë franceze që rrezikonte rrëzimin nga ballkoni i pallatit.