Kontroll i rreptë, forcohen masat kundër kontrabandës në Burgun e Dubravës

Sot në Qendrën Korrektuese të Dubravës është realizuar një bastisje e qëllimshme në disa pavijone të institucionit, me qëllim identifikimin dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme brenda këtij institucioni korrektues.
Në këtë aksion të koordinuar janë angazhuar 80 oficerë korrektues së bashku me Njësinë K9 të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), të cilët kanë kryer kontrollin në mënyrë profesionale dhe me përkushtim të lartë.
Qëllimi kryesor i bastisjes ishte parandalimi i kontrabandës, me theks të veçantë në ndalimin e futjes dhe shpërndarjes së substancave narkotike. Gjatë bastisjes nuk është gjetur asnjë material i ndaluar apo substancë e paligjshme, gjë që dëshmon për gjendjen e kontrolluar dhe mbikëqyrje efektive në hapësirat e kontrolluara.
SHKK thekson se do të vazhdojë me veprime parandaluese dhe kontrolle të rregullta për të garantuar rendin dhe sigurinë brenda institucioneve korrektuese, duke mbrojtur integritetin dhe funksionalitetin e sistemit korrektues në Kosovë.
Një falënderim i veçantë iu është drejtuar edhe të burgosurve për bashkëpunimin dhe sjelljen e tyre konstruktive gjatë zhvillimit të bastisjes, që reflekton vetëdije dhe pjekuri për rëndësinë e ruajtjes së një ambienti të sigurt dhe të qetë brenda institucionit.