18:51 / E Premte, 13 Tetor 2017 / indeksADMonline

Konvertimi misterioz europeist i Marine Le Pen

Nga Bernard Guetta

Nuk ka arsye të kesh turp, nëse gabon dhe pastaj ndryshon mendjen. Marine Le Pen deklaroi në 11 tetor, në “Valeurs Actuelles”, se “është e mundur që të përmirësohet jeta e përditshme e francezëve, pa lënë Evropën dhe euron”, duke ndërmarrë një hap të mëtejshëm për t’u shkëputur nga besimet e saj të së kaluarës, dhe braktisur idenë e largimit nga Bashkimi Evropian, si një prioritet për Francën. Në këtë moment do të ishte budallallëk ta akuzoje për “kthim xhakete”.

Le Pen ka kuptuar gjëra, që ajo nuk i kishte kuptuar në të kaluarën, dhe ky është një lajm i mirë. Më mirë vonë se kurrë. Sidoqoftë, do të ishte shumë më mirë nëse udhëheqësja e Frontit t’u shpjegonte votuesve të saj, të gjithë francezëve, mbështetësve të Brexit që kishte nxitur në Mbretërinë e Bashkuar, dhe të gjithë eurofobëve në Evropë, të cilëve iu bë zëdhënëse, përse dhe si mendon që ka gabuar, dhe mbi të gjitha pse sot ajo thotë të kundërtën e asaj që tha dje.

Jo shumë kohë më parë, Le Pen sulmonte “europeistët”, për të përdorur një term që ajo e donte aq shumë, duke i akuzuar për tradhëti ndaj kombit, duke shpjeguar se nuk kishte asnjë ilaç për operacionet shkatërruese dhe politikat e Bashkimit Evropian, zgjidhja e vetme ishte të largoheshin nga klubi sa më parë që të ishte e mundur, duke u kthyer në sovranitetin kombëtar dhe në kufijtë e së kaluarës.

Këto thoshte Le Pen pranverën e kaluar, gjatë fushatës presidenciale. Tani duket se ajo ka ndryshuar mendje. Philippot është larguar, largimi nga Unioni nuk është më i rëndësishëm. Po pse kjo kthesë?

Le Pen duhet ta thotë, për të ndarë me Francën dhe të gjithë Evropën, votuesit francezë dhe të gjithë evropianët, arsyet pse nuk sheh më në Bashkimin Evropian një të keqe absolute, duke qenë se nuk besojmë që ka vendosur të ndryshojnë vetëm rrugën, për shkak se votuesit nuk e ndjekin më.

Një parti e tillë si Fronti Nacional, aq e ndryshme nga të tjerat, një parti që nuk gënjen dhe kritikon në mënyrë të pandërprerë elitat e korruptuara, të globalizuara dhe “evropiane”, mund të mos ketë ndryshuar mendimin e saj për një çështje të tillë themelore, thjesht sepse mendon se do të marrë disa vota. Edhe sepse manovrat e tilla vërtetë nuk funksionojnë.

Do të ishte demagogji e pastër dhe e thjeshtë, dhe ne nuk duam të hedhim dyshime pa patur dëshmi. Pra, ndoshta është më mirë që Le Pen të shpjegojë dhe të thotë, me guxim, pa turp sepse nuk ka asnjë arsye, se evropianët kanë nevojë për unitetin e tyre dhe se kjo është gjithashtu kauza e saj. Përndryshe, si mund të shpjegohet? / France Inter – Bota.al