21:27 / E Enjte, 25 Prill 2019 / indeksADMonline

“Kopraci”, një premierë e suksesshme e regjisores Nura në Teatrin “Adriana”

Të mërkurën më 24 prill 2019 nga ora 20:00 në Teatrin “Adriana” u shfaq premiera e kryeveprës botërore, komedia “Kopraci” e Molierit me regji nga Elmaze Nura.

Publiku kishte mbushur Teatrin e Ferizajt, për të shijuar jo thjesht një shfaqje, por një spektakël teatror. Në shfaqje luajtën me mjeshtëri: Mevlan Saraçi, Vjosa Abazi, Jajush Ramadani, Blin Sylejmani, Ali Krasniqi, Milot Salihu, Uratë Shabani, Sherif Bega dhe Doruntinë Xhemajli.

Me duartrokitje të gjatë dhe ovacione nga publiku, është përmbyllur premiera, që zgjoi një interesim të madh të publikut teatërdashës jo vetëm në Ferizaj, por edhe më gjerë.

Figura të njohura të komunitetit artistik kosovar, ishin në këtë premierë, ndërsa vlerësimet pas shfaqjes ishin me tone mjaft pozitive.

“Ka qenë një shfaqje e nivelit tepër të lartë”, u shpreh kritiku i teatrit, Reshat Sahitaj.

Ai tha se të gjitha elementët e shfaqjes ishin harmonizuar me përsosmëri në funksion të një koncepti origjinal regjisorial.

Publiku është ndarë i impresionuar me këtë premirë.

“Ka kohë që nuk kam parë një shfaqje më të mirë”, ka thënë gazetari i njohur Sylejman Shaqiri.

Aktori që luan personazhin kryesor, tha se kjo ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. “Ka qenë edhe një shkollë për ne”, u shpreh Mevlan Saraçi.

Harpagoni është kryepersonazhi i shfaqjes, një person egoist që grumbullon para sa më shumë të jetë e mundur. Asnjë shumë parash nuk do të jetë mjaft e madhe për të që të mjaftohet. Ai është gjithmonë paranojak, gjithmonë në prag të shndërrimit totalisht në një njeri të pandjeshëm nga dashuria e tij për para. Por, edhe kur bëhet fjalë për dashurinë, ai prapë e vë veten në rend para djalit të tij Kleantit dhe është në gjendje që të martohet më të dashurën e djalit të tij, me të bukurën Marianë, pa i ardhur fare keq që po hyn në mes të një dashurie të brishtë dhe të pastër të dy të rinjve.

Ndërsa sa për para edhe vajzën e tij Elizën, është në gjendje ta martojë me një njeri të vjetër, vetëm për faktin se ai është i pasur. Ashtu si në shumë komedi të bukura, Kopraci fokusohet në martesë, si një simbol i konfliktit dhe zgjidhjes së lumtur. Kur njerëzit nuk mund të martohen me ata që duan, doza e konfliktit shumëfishohet.

Në komedinë “Kopraci” autori i madh botëror, Molieri, na ballafaqon fytyrën e të keqes dhe të mirës. “Edhe pse një ndër veprat më të mira të klasicizmit, Kopraci i flet kohës dhe mentalitetit tonë në të gjitha nivelet. Lajkat dhe lajkatarët i takojmë çdo ditë, dhe në këtë vepër ky është fenomen”, shprehet regjisorja, profesoresha e Regjisë Elmaze Nura, duke shtuar se, siç thotë edhe vetë autori, “nuk është faji i atyre që bëjnë lajka, por i atyre që i pranojnë dhe ua ka ëndja ato”.

Nura u shpreh shumë e kënaqur me bashkëpunimin me trupën e Ferizajt, një ekip profesionistësh. “I kemi dhënë publikut një shfaqje mjaft cilësore, falë një pune intensive dhe një bashkëpunimi shumë të mirë me aktorët dhe stafin tjetër”, ka thënë regjisorja.

Asistente e regjisë është Fata Hyseni, skenograf Zeni Ballazhi, Kostumet nga Alma Krasniqi, ndërsa muzika është bërë nga Gëzim Hasani. Ndriçimi është bërë nga Hajrullah Elezi, ndërsa Mjeshtër skenografie, Avni Ajvazi.