10:51 / E Diele, 23 Janar 2022 / MSH

Koreja e Jugut paguan borxhet e prapambetura të Iranit në OKB

Koreja e Jugut përdori 18 milionë dollarë fonde të ngrira iraniane në bankat koreane për të shlyer detyrimet e prapambetura të Teheranit në bilancet e OKB-së.

Kjo u bë e ditur nga Seuli, duke specifikuar se nisma do t’i lejojë Iranit të rikuperojë shpejt të drejtën e votës në Kombet e Bashkuara.

Pagesa u bë të premten në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe OKB-në, pasi Irani i kishte “kërkuar urgjentisht” Koresë së Jugut të paguante shumën e duhur, tha në një deklaratë ministri i Financave të Koresë së Jugut.

Shuma ishte minimalja e detyrimeve të prapambetura nga Teherani në Kombet e Bashkuara për të rikuperuar të drejtën e votës brenda Organizatës, e cila ishte humbur në fillim të janarit.

Irani ka më shumë se 7 miliardë dollarë fonde të eksportit të naftës të ngrira në dy banka të Koresë së Jugut për shkak të sanksioneve të SHBA.

“E drejta e Iranit për të votuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së duhet të rikthehet menjëherë me këtë pagesë”, shtoi ministria e Koresë së Jugut.