08:40 / E Hënë, 17 Prill 2023 / L K

Koreja e Veriut feston ndërtimin e 10 mijë shtëpive moderne

Koreja e Veriut mbajti një ceremoni të dielën për të festuar përfundimin e 10 mijë shtëpive të reja moderne në distriktin e sapondërtuar Hwasong në Penjan, njoftoi media shtetërore KCNA.

Udhëheqësi Kim Jong Un mori pjesë në ceremoni, sipas raportimeve, si dhe një numër zyrtarësh të lartë të qeverisë, përfshirë Kim Tok Hun, kryeministrin e kabinetit.

Ky moment historik vjen dy muaj pasi Kim nisi tjetër projekt strehimi që është përshkruar si “një tjetër rrugë luksoze e socializmit plot lumturi të njerëzve”, raporton Reuters.

Në vitin 2021, Koreja e Veriut njoftoi planet për të ndërtuar 50 mijë apartamente të reja në kryeqytet gjatë pesë viteve.

Që atëherë, Koreja e Veriut tha se ka ecur përpara me një sërë projektesh ndërtimi, disa prej të cilave janë ende në vazhdim mes dyshimeve të huaja për mungesa ushqimore.

Kim tha se projekti i strehimit është një plan i dashur prej kohësh që po shtyhet përpara si një “prioritet kryesor” nga Partia e Punëtorëve të Koresë dhe shteti dhe ai ripohoi idenë e tij për ta bërë Penjanin një qytet “me famë botërore”, sipas KCNA.