75 Mall Live Search
12:46 / E Enjte, 25 Mars 2021 / Blerim

Koreja e Veriut shkrep dy raketa me rreze të shkurtër në det

Vetëm katër ditë pas testimit të raketave kryqëzuese, Koreja e Veriut shkrepi dy raketa balistike me rreze të shkurtër në Detin Lindor (Deti i Japonisë), njoftoi ushtria e Koresë së Jugut.

Raketat u shkrepën nga qyteti lindor i Koresë së Veriut, Hamju, provinca jugore Hamgyong herët në mëngjes, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap.

“Autoritetet e inteligjencës së Koresë së Jugut dhe SHBA-së po analizojnë predhat në detaje, duke vlerësuar mundësinë që ato të jenë raketa balistike me rreze të shkurtër”, citoi agjencia një oficer të Shtabit të përbashkët të SHBA-së.

Ushtria e Koresë së Jugut dje tha se Koreja e Veriut kishte shkrepur dy raketa kryqëzuese në brigjet perëndimore të dielën.

Raketat kryqëzuese nuk janë të ndaluara sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Korenë e Veriut, por testimet e raketave balistike janë shkelje e rezolutave.

Zyra presidenciale e Koresë së Jugut ka thirrur një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar mbi situatën, ndërsa pallati presidencial shprehu “shqetësim të thellë” rreth predhave të fundit nga fqinji i saj.

Duke reaguar ndaj këtij veprimi, ushtria amerikane tha se raketat tregojnë kërcënimin që paraqet Veriu.

“Ky aktivitet thekson kërcënimin që programi i armëve të paligjshme të Koresë së Veriut përbën ndaj fqinjëve të saj dhe komunitetit ndërkombëtar”, tha zëdhënësi i Forcave amerikane në Kore, koloneli Lee Peters. “Angazhimi i SHBA-së për mbrojtjen e Republikës së Koresë mbetet i vendosur”.

Shkrepja e fundit erdhi, ndërsa administrata e re e Bidenit pritet të përfundojë rishikimin e politikës ndaj Koresë së Veriut dhe pas një vizite në Seul nga sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin dhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken.