Korenica pasi shënoi het-trik: Po luftojmë në të dyja frontet

Prishtina ka mposhtur Ferizajin me rezultat 8-1 në ndeshjen e xhiros së 23-të të Superligës.
Në këtë sfidë, Meriton Korenica shënoi tri gola, duke u bërë vetëm futbollisti i 10-të që arrin këtë sukses.
Pas ndeshjes, ylli i Prishtinës ka thënë se do të përpiqen që të arrijnë sukses të dyfishtë në këtë sezon.
“Fitore shumë e rëndësishme si dhe ecuria jonë. Shpresojë kështu të vazhdojmë me lojëra të mira dhe çdo ndeshje t’i qasemi maksimalisht. Kemi një qëllim përpara, kupë e titull dhe duke parë që ekipi po shkon shumë mirë besoj shumë se në fund të gjithë së bashku, duke i ndihmuar njëri tjetrit, do t’ia dalim. Ky rezultat i thellë tregon më së miri punën që jemi duke e bërë. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me gjithçka“, ka thënë Korenica.
Prishtina është në vendin e tretë në Superligë, dy pikë larg kreut dhe me një këmbë është në finale të Kupës, pasi ndeshjen e parë gjysmëfinale e ka fituar 3-0. /IndeksOnline/