21:24 / E Diele, 23 Shkurt 2020

Koronavirusi, PD denoncon Ramën: Po e kthen spitalin e Kavajës në karantinë

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka hedhur sulme në adresë të qeverisë, duke bërë me dije se me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, maxhoranca po e kthen spitalin e Kavajës në karantinë për raste të mundshme të koronavirusit në Shqipëri.

Përmes një postimi në rrjetin social, Bardhi shkruan se ky është një akt i papërgjegjshëm, pasi qeveria po vë potencialisht në rrezik jetët e qytetarëve të Kavajës.

Në fund të statusit të tij, Bardhi u sugjeron Ramës që karantinën për koronavirusin ta bëjë në Surrel, atje dhe ku ndodhet vila e kryeministrit.

STATUSI I PLOTË:

Sot në repartin e patologjisë dhe urgjencës në Spitalin e Kavajës kanë nisur përgatitjet, me urdhër të Ministres së Shëndetësisë, për ta kthyer në Karantinë.

Kjo është papërgjegjshmëri!

Zgjedhja e një spitali të një qendre të banuar për Karantinë është kërcënim serioz për jetën e të gjithë banorëve.

Ky është një provokim i rëndë për Kavajën!

I bëj thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të mi të mos e pranojnë trajtimin nga Edi Rama si banorë të parëndësishëm, jeta e të cilëve nuk ka rëndësi për Kryeministrin.

Karantinën ta ndërtojë në shtëpinë e tij në Surrel, jo në Kavajë!