13:49 / E Hënë, 19 Tetor 2020 / indeksADMonline

Kosnett: Disa akuzohen për shkelje të rënda, disa të tjerë që kanë kryer vepra të njëjta përballen me akuza shumë të lehta

Në shënimin e Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit në Kosovë u theksua rëndësia e angazhimit më të madh të institucioneve përgjegjëse në mbrojtjen e të drejtave të viktimave të krimit.

Ambasadori amerikan në Kosovë dhe presidenti i vendit u kanë bërë thirrje institucioneve që të trajtojnë viktimat me dinjitetin e njëjtë, ndërkohë që drejtësia të zbatohet njësoj për të gjithë.

Kosnetti tha se respektimi i sundimit të ligjit kërkon njëtrajtshmëri, veçanërisht kur trajtohen të drejtat dhe nevojat e viktimave të krimit.

“Shpesh jam i zhgënjyer kur dëgjoj për shpërputhjen në trajtim nga sistemi penal i Kosovës. Disa kryes të veprave mbahen në burg e disa të tjerë lirohen. Disa viktima marrin ndihmë e të tjerët lihen të kujdesën vetë për vete. Disa të pandehur akuzohen për shkelje të rënda, kurse të tjerët që kanë kryer vepra të njëjta përballen me akuza shumë të lehta, disa përballen me dënime të rënda, kurse të tjerët paguajnë gjoba të papërfillshme.

E kuptoj që jo të gjitha krimet dhe rrethanat janë të njëjta, por mungesa e parashikueshmërisë dhe njëtrajtshmërisë në këto raste i dëmton proceset dhe sukseset tuaja. Rrjedhimisht e dëmton besimin e qytetarëve në Qeveri. Prandaj, ju bëj thirrje të gjithëve që të vazhdoni të punoni për të siguruar që çdo viktimë, çdo rrethanë, çdo ndjekje penale dhe çdo dënim të trajtohet me dinjitetin dhe rëndësinë e njëjtë”, tha ai.