20:48 / E Martë, 26 Janar 2021 / OSH

Kosnett: Partitë politike të përqëndrohen te nevojat e popullit, KQZ është e aftë të siguroj zgjedhje të lira

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett në një intervistë ka thënë se zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit janë të rëndësishme dhe partitë politike duhet të përqëndrohen në nevojat e popullit të Kosovës, shkruan IndeksOnline.

Ai tha se KQZ dhe institucionet e tjera janë të afta për të siguruar zgjedhje të lira dhe të sigurta.

“Mendoj se këto janë zgjedhje të rëndësishme për Kosovën dhe dje unë dhe kolegët e Quint-it dhamë një deklaratë duke i nxitur të gjitha partitë që janë në garë në mbajtjen e zgjedhjeve të suksesshme për të ulur tensionin sepse gjërat janë shumë emocionale dhe të përqendrohen në nevojat e popullit të Kosovës.

Kam besim që KQZ dhe institucionet e tjera janë të afta dhe të përgatitura për të siguruar zgjedhje të lira, të sigurta dhe paqësore dhe ato duhet të mbahen sipas planit, më 14 shkurt.

Nuk kam asnjë arsyeje të mendoj se nuk po ndodh ashtu”, tha ai në RTK, transmeton IndeksOnline.

Kosnett foli edhe për Gjykatën Speciale dhe për aktakuzat e ngritura ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Ai tha se Kosova dhe rajoni kanë nevojë për më shumë drejtësi, e jo më pak.

“Me një fjalë themi se aktakuzat janë ngritur dhe rastet po ndërtohen kundër individëve e jo kundër një organizate. Ne mendojmë se Gjykata, si çdo gjykatë tjetër e ndërtuar sipas Kushtetutës, duhet të lejohet të veproj lirshëm pa presion publik. Dhe unë besoj që të pandehurit që janë para Gjykatës në Hagë do të kenë mundësi që të ndërtojnë mbrojtjen e tyre ligjore. Shumë qytetarë të Kosovës kanë shprehur shqetësimin e tyre për mandantin e kufizuar por përgjigja ime ndaj kësaj është se mendoj se Kosova dhe rajoni kanë nevojë për më shumë drejtësi, e jo më pak.

Shumë njerëz kanë kryer krime të tmerrshme në këtë rajon, në vitet 1980-1990. Njerëz të nacionaliteteve të ndryshme dhe mendoj që viktimat dhe familjarët e tyre meritojnë drejtësi dhe SHBA-të do të dëshironin të shihnin të gjitha qeveritë të përfshira duke bërë më shumë për të kërkuar drejtësi për viktimat dhe familjarët e tyre”, tha ai./IndeksOnline/