16:33 / E Enjte, 21 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Kosnett: Puna e qeverisë amerikane në Kosovë përqendrohet rreth tre temave kryesore

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, deklaroi sot se përkrahja e nismave për edukim është thelbësore për suksesin e shtetit të Kosovës, pasi programet në edukim u japin nxënësve mjete praktike dhe shkathtësi të reja për të vazhduar studimet e avancuara.

Ai këto komente i bëri me rastin e lansimit të “Junior geeks”, program ky i financuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, përmes Ambasadës amerikane në Prishtinë dhe ICK.

Programi është i ndarë si shpërblim për grupin e tre bursistëve. Në ceremoninë e lansimit u tha se platforma gjithëpërfshirëse për nxënësit e shkollave të mesme për të mësuar dhe zhvilluar ndërmarrësinë, teknologjinë e inovacionin.

Ambasadori Kosnett tha se programe të tilla si “Junior Geek” u japin nxënësve mjete praktike  dhe shkathtësi të reja për të vazhduar studimet e avancuara, e gjithashtu edhe të jenë konkurrues në tregun e punës.

“Puna e qeverisë amerikane në Kosovë përqendrohet rreth tre temave kryesore: paqes, drejtësisë  dhe mirëqenies. Të gjithë ata nxënës që do të marrin pjesë në këtë program do të jenë më të përgatitur për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës në tre fushat e përmendura. Lidhja të mirëqenia është e qartë, programi përqendrohet në shkathtësitë kryesore që nevojiten për të kontribuar në ekonominë që çdo ditë ndryshon dhe që është e fokusuar kah teknologjia. Me mbështetjen e qendrës inovative të Kosovës dhe mentorëve të tjerë, ju do të përmirësoni disa prej vetive të domosdoshme për t’u bërë ndërmarrës të suksesshëm si dhe për të krijuar vende pune”, tha ai.

Diplomati amerikan tha se platformat online ofrojnë mënyra se si publiku mund t’i kërkojë llogari qeverisë dhe të kontribuojë për sundimin e ligjit në Kosovë.

Për Kosnett, është shumë e rëndësishme që programi është hartuar si platformë përfshirëse që bënë bashkë të rinjtë përtej kufijve gjeografik dhe etnik.