Kosova barazon në miqësoren e dytë me Kuvajtin

Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka barazuar në ndeshjen e dytë miqësore me Kuvajtin.
21:21 ishte rezultati i ndeshjes të luajtur të hënën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec para rreth 600 shikuesve.
Ishte kjo një ndeshje tjetër e rëndësishme testuese për selektorin Taip Ramadani dhe lojtarët e tij. Kosova është në përfundim të fazës përgatitore për kualifikimet e Botërorit, që i zhvillon prej të premtes deri të dielën në Benevento të Italisë.
Edhe në ndeshjen e dytë testuese me Kuvajtin, selektori Ramadani ka provuar skema të ndryshme taktike dhe kombinime të lojtarëve. Kosova ka përmirësuar dukshëm përshtypjet pas disfatës së pësuar të dielën.
Edhe të dielën Kosova u paraqit mirë, por në fazën përfundimtare pësoi shumë gola.
Kuvajti është prej Kombëtareve më cilësore të Azisë dhe që ka luajtur ndeshje të forta me Kombëtare të mëdha evropiane.