14:40 / E Enjte, 18 Prill 2019

Kosova bëhet me program që mundëson reagim të shpejtë tek rastet e infarkteve akute

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, sot ka bërë prezantimin e programit nacional i cili parasheh që në rast të infarkteve akute në krejt Kosovën të bëhet reagimi dhe raportimi i shpejtë i rasteve dhe pacienti të arrijë shpejtë në QKUK.

Përmes këtij projekti do të mundësohet që dukshëm të rritet koha e reagimit tek rastet e infarkteve akute në nivel të krejt Kosovës dhe të bëhet raportimi i menjëhershëm i rasteve nga të gjitha qendrat e Kosovës.

Duke folur për këtë projekt, Ministri i Shëndetësisë, z. Uran Ismaili, tha se përmes këtij projekti do të bëhet e mundur që për 2 orë që nga simptomat e para, pacienti të merr shërbimin, e gjithë kjo kohë llogaritet si kohë e artë për reagim dhe shpëtim të jetës së pacientit.

Ministri me këtë rast tha se ky projekt po tregon se disa hallka të shëndetësisë po forcohen.

“QKUK nëpërmjet pajisjeve të reja, organizimit më të mirë dhe funksionimit 24 orësh ka arritur të mbajë barrën e pacientëve brenda institucioneve publike. Tani po kalojmë në forcimin e mjekësisë primare dhe pacienti të mos humbet në mes këtyre dy hallkave dhe që të përfundoj me fatalitet” theksoi Ministri Ismaili.

Në anën tjetër, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, tha se ky është projekti më i rëndësishëm në shëndetësi nga paslufta.

Sipas tij, brenda 120 minutave përmes këtij projekti arrihet të shpëtohet muskuli i zemrës dhe pacienti të mos mbetet me invaliditet.

Drejtori Sejdiu foli edhe për punët dhe hapat që janë ndërmarrë duke theksuar se tashmë janë në funksion 2 salla të kateterizimit dhe ka specialistë dhe staf tjetër të trajnuar.

Ai foli është për historikun dhe koronarografinë e parë që është bërë në Kosovë.

“ Koronarografinë e parë e kemi bërë 31 tetor të vitit 2003, ndërsa stentimi i parë më 5 mars 2005 nga ky ekip, ekipi që ishte trajnuar atje nuk kishte arritur ta realizonte kardiologjinë invazive në QKUK për shkaqe objektive”, theksoi drejtori Sejdiu.

Rreth 3 mijë persona, apo 35% e të gjitha vdekjeve brenda vitit në Kosovë, shkaktohen nga sëmundjet e zemrës.

Për çdo vonesë prej 30 minutash pas infarktit, rreziku i vdekshmërisë rritet për 7.5%.

Prezantimin e programit e bëë dr. Tefik Bekteshi, drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive dhe dr. Dorjan Maursic, ekspert nga Sllovenia.