Kosova bojkoton ceremoninë për çmimin e Nobelit, që e fitoi adhuruesi i Millosheviqit!
Zv.kryeministri i Republikës, Behgjet Pacolli ka konfirmuar se ambasadorja e Kosovës në Suedi, Shkëndije Geci-Sherifi nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Nobelit që mbahet në Stokholm.
“Unë konfirmoj se ambasadorja ynë Znj. Shkendije-Geci-Sherifi do të bojkotojë këtë event, shkaku i fituesit kontravers të Çmimit Nobel, Peter Handke, mik dhe mbështetës i politikës së Millosheviqit. Unë gjithashtu pres që edhe Ambasadori i Shqipërisë të veprojë në mënyrë të ngjashme”, ka shkruar ai, shkruan Indeksonline
Ndryshe, vendimi i Akademisë Suedeze për t’ia dhënë një përkrahësi të Sllobodan Millosheviqit, çmimin Nobel për letërsi kishte nxitur reagime të jashtëzakonshme nëpër botë.
Kishin reaguar shkrimtarë të ndryshëm me famë botërore si Selman Rushdie, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Kreu i ASHAK-ut, Mehmet Kraja, madje i kishte dërguar një letër Akademisë Suedeze, përmes të cilës kërkonte zmbrapsje për vendimin që Handkes t’i jepet një çmim i tillë.
Nga ana tjetër, fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke, u ka thënë gazetarëve se është momenti i gabuar të vihet në pikëpyetje mbështetja e tij për ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq.
Gjatë një konference për media, ai i ka cilësuar pyetjet e gazetarëve sikur “injorante”, duke mos pranuar të komentojë më hollësisht, shkruan The Guardian.
Kujtojmë se vendimi për t’i ndarë Çmimin Nobel shkrimtarit austriak ka nxitur reagime të shumta. Një peticion i nënshkruar nga pothuajse 60 mijë njerëz po i bën thirrje Komitetit Nobel që ta revokojë çmimin që iu nda mbështetësit të Kasapit të Ballkanit.
Peticioni pritet të dorëzohet nga protestuesit me 10 dhjetor në Stokholm, në ditën kur Handke pritet ta marrë çmimin e tij.
I pyetur se a e konteston masakrën Srebenicës, ku ishin vrarë rreth tetë mijë burra dhe djem myslimanë, Handke u përgjigj duke përmendur një letër që ai kishte pranuar nga një kritik anonim – ishte letër higjienike në të cilën kishte shkrim kaligrafik prej muti.
“Unë më parë preferoj letër higjienike – një zarf anonim me letër higjienike brenda për pyetjet e tua boshe dhe injorante”.