Kosova dhe Belgjika zhvillojnë konsultime politike për marrëveshjet ndërkombëtare
Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ilir Muçaj, priti në takim delegacionin belg të kryesuar nga Birgit Stevens, drejtoreshë e përgjithshme për bashkëpunim dypalësh.
Muçaj, në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e palëkundur që Mbretëria e Belgjikës ka ofruar për Republikën e Kosovës në të gjitha fazat e konsolidimit të saj.
Në këtë frymë bashkëpunimi, u zhvilluan konsultimet politike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës, ku u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, forcimin e mëtejshëm të tyre, si dhe mundësitë për zhvillimin e një agjende të përbashkët në fushën e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Të dyja palët ritheksuan rëndësinë e mbajtjes së këtyre konsultimeve politike si një mekanizëm thelbësor për thellimin e bashkëpunimit dhe për identifikimin e mundësive që kontribuojnë në koordinimin në çështje me interes të përbashkët, përfshirë edhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik.
Sipas MPJD-së, konsultimet politike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës dëshmojnë për partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve mike, që vazhdojnë të forcohen përmes dialogut të hapur dhe bashkëpunimit konkret në fusha me interes të përbashkët.

