11:20 / E Mërkurë, 11 Maj 2022 / k.v

Kosova dhe BERZh me marrëveshje për energji efiçiente për Prizrenin

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Alain Pilloux në javën e takimeve pranverore në Marakesh kanë nënshkruar Marrëveshjen për Energji Efiçiente për Prizrenin. Kjo marrëveshje që kap vlerën prej 6 milionë e 315 mijë euro, prej të cilave 20% janë grant, synon investimet në Efiçiencën e Energjisë së Ndërtesave Publike në Prizren.

Në një komunikatë për media thuhet se me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Murati ka vlerësuar lart bashkëpunimin e vazhdueshëm me BERZh-in, si një partner i rëndësishëm për avancimin e tranzicionit energjetik të Kosovës dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Në anën e tij, zëvendëspresidenti i BERZh-it, Alain Pilloux u shpreh se për një shtet i cili deri vonë nuk mund ta imagjinonte të ardhmen e energjisë pa linjit, progresi i Kosovës nuk mund të ishte më i madh se kaq. Gjithashtu, ai theksoi se Kosova tashmë është duke punuar intensivisht në një model të cilin çdo shtet duhet ta ndjek, përkatësisht kombinimin e energjisë efiçiente me energji të ripërtrishme.

Projekti i cili financohet nga kjo marrëveshje parasheh implementimin e masave të efiçiencës në 100 objekte komunale, duke përfshirë kopshte, shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor parësor. Masat e propozuara për efiçiencë përfshijnë përmirësimin dhe ndërrimin e sistemeve të ngrohjes, izolimin termik të ndërtesave dhe instalimin e dritareve dhe dyerve me efiçiencë të energjisë.