75 Mall Live Search
18:38 / E Premte, 11 Dhjetor 2020 / A. M.

Kosova dhe Malta zotohen për thellim të bashkëpunimit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, zhvilloi sot një takim virtual me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropës të Maltës, Evarist Bartolo.

Haradinaj-Stublla dhe Bartolo diskutuan mbi marrëdhëniet bilaterale, zhvillimet rajonale dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Shefja e diplomacisë kosovare shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Maltës ndaj Kosovës dhe për rolin e saj pozitiv të treguar përgjatë viteve.

Në këtë video-takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm midis dy shteteve ndërsa u nënvizua nevoja për rritje të bashkëpunimit ekonomik.

“Malta mund të mbështesë Republikën e Kosovës në zhvillimin e e-qeverisjes dhe sistemeve të administrimit elektronik për të cilat është pararojë në Evropë”, u shpreh me këtë rast ministrja Haradinaj-Stublla, duke shprehur gatishmërinë e Kosovës për të thelluar më tej bashkëpunimin me vendin ishullor, anëtar të Bashkimit Evropian.