12:11 / E Martë, 03 Tetor 2017 / indeksADMonline

Kosova dhe Maqedonia me mbledhje të përbashkët të dy Qeverive

Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë do të mbajnë mbledhje të përbashkët në mes të dyja Qeverive; do të ndërmarrin veprime konkrete për lehtësimin e kalimit të kufirit ndërmjet dy shteteve respektive; do të synojnë projekte të përbashkëta në kuadër të procesit të Berlinit dhe do të shikojnë mundësinë e krijimit të pikave të përbashkëta doganore.

Këto ishin disa nga temat e takimit, të cilat u diskutuan në takimin në mes zëvendës-kryeministrit të parë dhe ministrit të Jashtëm,  Behgjet Pacolli, me zëvendës-kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane,  Bujar Osmani.

Shkëmbimi i përvojave në kuadër të procesit të integrimeve euro-atlantike ishte një çështje tjetër, për të cilën të dyja palët kanë theksuar si të rëndësishme.

“Në ndërkohë, sa i përket vazhdimit të mbështetjes së Maqedonisë përkitazi me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, pritet që Maqedonia t’i përmbahet dhe të veprojë në linjë me vendimin e saj për njohjen e Kosovës”, njofton MPJ-ja./AktivPress