16:50 / E Hënë, 11 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Kosova dhe Maqedonia rritin bashkëpunimi në sektorin energjetik

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, sot gjatë një takimi me ministrin e Ekonomisë të Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi, diskutuan për projekte të përbashkëta në fushën e energjisë, si dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve fqinje.

Me këtë rast, ministri Lluka shprehu interes në projektin e gazifikimit pasi hap mundësi për zhvillimin e këtij rrjeti në të dy vendet, duke thënë se shkëmbimi i përvojave në zhvillimin e burimeve të ripërtërira të energjisë do të përmbushë kërkesat e  komunitetit të energjisë.

“Përgatitja e projekteve të përbashkëta do t’u mundësojë  dy vendeve prezantim të përbashkët para institucioneve të huaja financiare në mënyrë që të angazhohen fonde për realizimin e projekteve të përbashkëta”, tha ministri Lluka.

Ndërsa, ministri Bekteshi tha se projekt aktual ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë është revitalizimi i linjave 220kV drejt Kosovës.

“Në periudhën e ardhshme, projekti aktual për realizimi nga të dyja vendet është lidhja e sistemeve energjetike mes dy vendeve me revitalizimin e linjave 220 kV drejt Kosovës. Kjo do të nënkuptonte  edhe një lidhje tjetër me sistemet energjetike të BE-së, sepse Kosova nëpërmjet Shqipërisë do të lidhet me Italinë, që do të thotë rritje e besueshmërisë në sistemin tonë të transmetimit të energjisë elektrike”, tha ministri Bekteshi.

Ndër temat e diskutuara në këtë takim ishin termocentrali i Oslomejit dhe furnizimi i saj i mundshëm me thëngjill me kalori të lartë nga Kosova, pastaj HC Çebren dhe Galishtë, si  balancues potencial në sistemet e elektroenergjetik në rajon, si dhe projektet investuese  të të dyja palëve  që nënkupton monitorimin e tranzicionit evropian të energjisë.

U diskutuan edhe mundësitë për zgjerim me projektin për sistemin e sistemit një sportel ndërsa operacionalizimi i disa prej projekteve të lartpërmendura mund të sjellë edhe mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Maqedonisë  dhe Qeverisë së Kosovës, planifikuar të mbahet kah mesi i këtij viti.

Pas përfundimit të takimit të punës ndërmjet delegacioneve të të dy vendeve, ministri Ministri Lluka dhe ministri Bekteshi nënshkruan edhe Memorandum mirëkuptimi në fushën e energjetikës, i cili pritet të intensifikojë marrëdhëniet dypalëshe në sektorin e energjisë.

Në këtë memorandum përcaktohen fushat me prioritet për bashkëpunim të tillë si sektorin e energjisë elektrike, thëngjillin, gaz natyror, burime të ripërtërira të energjisë, efikasitetin  energjetik, furnizim të sigurt me energji, si dhe përgatitja e projekteve të rëndësishme infrastrukturore për ndërlidhje me energji elektrike dhe gaz dhe nisma të tjera projektuese.