Kosova dhe Maqedonia V. po bëhen me një kufi të përbashkët, fillon ceremonia

Qeveria në detyrë e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot do të përurojnë pikëkalimin e përbashkët kufitar “Hani i Elezit – Bllacë”.
Ceremonia do të fillojë pas pak brenda territorit të Maqedonisë së Veriut.
Sipas pamjeve të siguruara nga IndeksOnline, përgaditjet për fillimin e ceremonisë janë në përfundim.
I pranishëm në këtë ceremoni është edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Gjatë kësaj ceremonie mund të ketë ngadalësim të qarkullimit në këtë pikë kufitare, bëri me dije dje Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
“Me këtë rast, njoftohen të gjithë qytetarët që planifikojnë të shfrytëzojnë këtë pikë kufitare, se nga ora 10:00 deri në ora 12:00, do të ketë ngadalësim të qarkullimit”, u tha në njoftim.
Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, në shkurt kishte njoftuar se në prill të këtij viti do të fillojë funksionimi i sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar, i njohur si “One Stop Shop”, në pikën e Bllacës, që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën.
Sipas Toshkovskit, ky sistem do të thjeshtojë procedurat kufitare, duke lejuar që qytetarët e të dyja vendeve të kontrollohen nga një polic i vetëm doganor, duke reduktuar “kohën e pritjes dhe duke lehtësuar kalimin e kufirit mes dy shteteve”.