16:58 / E Mërkurë, 26 Shtator 2018

Kosova dhe Shqipëria bashkërendojnë politikat për reforma në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Uran Ismaili, ka takuar sot Ministren e Shëndetësisë, Punës dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Ogerta Manastirliu.

Ndërtimi i urave të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të politikave për realizimin e reformave shëndetësore të cilat të dy shtetet i kanë nisur gjatë kësaj qeverisje, ishte qëllimi kryesor i këtij takimi.

Ministri Ismaili e njoftoi ministren Manastsirliu për zhvillimet gjatë një vjeçarit të fundit në shëndetësinë kosovare dhe shndërrimin e këtij sektori në një prioritet kombëtar.

“I kam parë me kënaqësi të madhe reformat e mëdha të cilat i ka nisur Shqipëria në shëndetësi. Edhe në Kosovë kemi hapur shumë fronte për të zënë hapin në rrugën e reformave dhe përmirësimit të gjendjes në këtë sektor. Prandaj, kjo vizitë ishte një fillim i mirë i bashkëpunimit dhe bashkërendimit të politikave në rrugët tona për të ndryshuar për të mirë gjendjen në shëndetësi”, tha ministri Ismaili.

Ministrja Manastirliu shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të ofruar të gjithë mbështetjen dhe përvojën institucionale shëndetësore për Kosovën.
“Ju ofrojë të gjithë mbështetjen e parezervë të Qeverisë Shqiptare, që në rrugën e reformave shëndetësore që keni nisur, për të cilat kemi dëgjuar edhe këtu, të keni një derë të hapur në të gjitha aspektet”, tha ministrja Manastirliu.

Të dy palët u dakorduan që pa humbur kohë të nisin bashkëpunimin, që reformat e nisura në shëndetësi, t’i zhvillojnë në bazë të përvojave më të mira që mund të marrin nga njëri-tjetri.

Gjatë kësaj vizite në Shqipëri, ku të pranishëm ishin edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu, drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiq, delegacioni kosovar vizitoi edhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Në këto takime, ministrat u dakorduan që të krijohen grupe punuese të përbashkëta, të cilat do të nisin menjëherë shkëmbimin e përvojave profesionale, në veçanti për ngritjen e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë.