13:46 / E Enjte, 08 Shtator 2022 / B O

Kosova dhe Shqipëria të punojnë së bashku për zhvillim të turizmit

Një delegacion nga Bashkia e Lezhës, i kryesuar nga Kryetari i Bashkisë të Lezhës, po viziton Kosovën, me ç`rast kanë mbajtur një takim në Odën Ekonomike Kosovës.

Kryesuesi i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Sami Mazreku, tha se OEK-u do të angazhohet për rritje të mëtutjeshme të bashkëpunimit të bizneseve në të dyja anët e kufirit.

“Ky është takimi im i parë me ju në cilësinë e kryesuesit të OEK-ut, por shpresojmë se në një të ardhme të shpejtë ne do të organizojmë edhe takime dhe trysa tjera ku do të flasim për hapa me konkrete të bashkëpunimit në mes të bizneseve në të dyja anët e kufijve. Më herët pikërisht keni qenë ju që keni promovuar Shëngjinin me moton “Pusho Shqip”, ne së bashku me ju, por edhe kryetare të bashkive tjera po synojmë t’i shtojmë edhe një fjalë motos së famshme “Ha dhe Pusho Shqip” me produkte shqiptare të prodhuara në Kosovë dhe Shqipëri”, tha Mazreku kryesuesi i OEK-ut, i cili njëherit është edhe drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS).

Kurse Kryetari i Bashkisë të Lezhës, Pjerin Ndreu, ka falënderuar pushuesit kosovarë për zgjedhjen si destinacion, Shëngjinin, pjesët e tjera të Lezhës, por edhe Shqipërinë.

“Ka rritje të ardhjes së turistëve nga Kosova, kjo është arritur falë bashkëpunimit të operatorëve këtu dhe bizneseve atje”, tha ai. Kreu i Lezhës tha se duhet të bashkohemi që turizmi në dy anët të zhvillohet. “Turizmi duhet të zhvillohet dhe të mos jetë vetëm sezonal, Kosova ka shumë mundësi për këtë”, theksoi ai. Sipas tij ka akterë të ndryshëm që nuk duan zhvillimin e turizmit në Shqipëri, në këtë rast përmendi qarqe të ndryshme nga vendet fqinje.

Edhe ambasadori i Shqipërisë, Qemajl Minxhozi, tha se është me renëdësi bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e turizmit dhe fusha të tjera.

Kryetari i Shoqatës së Turizmit që është në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, vlerësoi se Shqipëria vitet e fundit ka arritur shumë në fushën e turizmit. Ai ka falënderuar për këtë vizitë kreun e Bashkisë së Lezhës.

“Kosova dhe Shqipëria kanë pasur zhvillim të hovshëm në fushën e turizmit. Plazhet e Shënginit, Tales etj, përbë numrin e mbi 60 % të turistëve nga Kosova për Shqipëri. Të rinjtë e Kosovës të mos shkojnë në vendet e jashtme për të punuar e emigruar, por të punojnë në dy vendet. Dy vendet kanë mundësi të rrisin më shumë bashkëpunimin. Kosova ka bjeshkët, kurse Shqipëria ka detin”, tha ai.

“Sot kemi investime në infrastrukturë në Shqipëri dhe kjo ka bërë që të kemi rritje të pushuesve nga Kosova që zgjedhin bregdetin dhe plazhet që janë në Bashkinë e Lezhës, si Shëngjini etj”, theksoi ai. Kurtishaj ka ftuar që të vizitohet Kosova nga nxënësit nga Shqipëria, të vizitojnë Prekazin, Gllogjanin e vend tjera që janë të rëndësishme për Kosovën. “”Shqipëria dhe Kosova kanë shumë gjëra të përbashkëta. Sot nepo e dergojmë zërin që qytetarët e Shqipërisë që të kalojnë pushimet në Kosovë”, tha ai.

Kryetari i Shoqatës së Turizmit që është në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, ka ftuar për investime në dy anët, për shkak të mundësisë që kemi.