Kosova do të përfitojë mbi 10 milionë dollarë në rast kualifikimi në Kampionatin Botëror
FIFA ka njoftuar zyrtarisht një rritje prej 50% të fondit të shpërblimeve për Kupën e Botës 2026, me kampionin e turneut që do të përfitojë plot 50 milionë dollarë (37.5 milionë £).
Botërori i ardhshëm do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, duke qenë edicioni më i madh në histori me 48 kombëtare pjesëmarrëse.
Pas një mbledhjeje të Këshillit të FIFA-s në Doha, u bë e ditur se 727 milionë dollarë do të shpërndahen mes federatave anëtare si rezultat i Botërorit 2026.
Nga kjo shumë, 655 milionë dollarë do të ndahen si shpërblime direkte për kombëtaret pjesëmarrëse
Fituesi i Botërorit: 50 milionë dollarë
Nënkampioni: 33 milionë dollarë
Skuadrat e renditura nga vendi 33 deri në 48: 9 milionë dollarë
Kosto përgatitore për çdo kombëtare: 1.5 milionë dollarë
Kjo do të thotë se çdo përfaqësuese që kualifikohet garanton minimumi 10.5 milionë dollarë, pavarësisht rezultateve.
Nëse Kombëtarja e Kosovës kualifikohet për Kupën e Botës 2026, ajo do të përfitonte të paktën 10.5 milionë dollarë, një shumë historike që do të kishte ndikim të madh në zhvillimin e futbollit në vend, shkruan Gazeta Express.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u shpreh se Botërori 2026 do të jetë “revolucionar për kontributin financiar ndaj futbollit global”. FIFA pret të arkëtojë 13 miliardë dollarë gjatë ciklit 2022–2026, pothuajse dyfish më shumë se cikli paraprak, rritje që lidhet kryesisht me zgjerimin e Kupës së Botës dhe Botërorit të Klubeve.

