75 Mall Live Search
22:05 / E Hënë, 22 Shkurt 2021 / AR

“Kosova duhet që të jetë pjesë e Evropës së madhe e jo vetëm e Shqipërisë së madhe”

Kosova duhet që të jetë pjesë e Evropës së madhe e jo vetëm e Shqipërisë së madhe“, kështu u shpreh ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, kur u pyet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, shkruan Indeksonline.

Ai po ashtu tha se Bashkimi Evropian duhet t’ju ofrojë kosovarëve liberalizim të vizave.

Mendoj se e ardhmja e Kosovës nuk qëndron në izolim, apo të përdori fjalën tuaj, të jetesës në geto. Kosova duhet që të jetë pjesë e Evropës së madhe e jo vetëm e Shqipërisë së madhe. Natyrisht, si amerikan, e kam të lehtë për të thënë që BE-ja duhet t’ju ofrojë kosovarëve liberalizim të vizave“, tha ai.

Tutje, Kosnett u shpreh se vizioni i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin nuk është Shqipëria e Madhe dhe Serbia e Madhe.

“Njerëzit kanë pyetur, cilët ushtarë amerikanë kanë vdekur? Kur flas për ta, atëherë flas për dy pilotë amerikanë të helikopterit, që kanë vdekur në vitin 1999 gjatë operacioneve këtu. Ata kanë vdekur kur helikopteri i tyre është rrëzuar në Shqipëri. Kevin Riker dhe David Gibbs. Kjo nuk është fshehtësi. Në Prizren është ngritur memorial në nderim të tyre, por gjithashtu e kam thënë dhe mendoj se kjo është me rëndësi që Kushtetuta e Kosovës bën thirrje që Kosova të jetë vend shumetnik e jo vend i vetëm një etnie. Të njëjtën gjë ua përmendim edhe njerëzve në vendet e tjera në rajon.

Shtetet e Bashkuara e marrin një pjesë të madhe të fuqisë së tyre nga fakti që jemi vend me larmi fetare dhe shumetnik. Nga kjo nuk e marrim vetëm larminë kulturore; marrim edhe larminë e ideve dhe mendoj se do të ishte e vështirë për çfarëdo qeverie amerikane se përgjigja për paqe në Ballkan qëndron në ndarjen e të gjithëve sipas etnisë dhe ndërtimit të mureve. Duhet të ndërtojmë ura e jo mure“, tha Kosnett në T7./Indeksonline/