08:28 / E Premte, 31 Janar 2020 / indeksADMonline

Kosova, duhet të investojë në përmirësim të ambientit

Termocentralet, vlerësohet se janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë.

Komisioni Evropian ka dhëë 70 milionë euro për të vendosur filtra të ri në blloqet e këtyre termocentraleve, në mënyrë që të mbrohet ambienti. Por Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, bëri të ditur se nevojiten mjete, por edhe përkushtim politik për përmirësimin e gjendjes. 

Bashkimi Evropian në vitin 2012, kishte investuar në ndërrimin e filtrave të Termocentralit Kosova A, për të përmirësuar cilësinë e  ajrit në vend. Ndërkaq Kosova B, funksionon me filtra të vjetër, qysh nga viti 1985. Aktualisht ajo cilësohet si ndotësi më i madh i ajrit në Kosovë. Zyra e Bashkimit Evropian, më këtë rast ka nënshkruar një marrëveshje të gjelbër për Kosovën duke rinovuar Termocentralin Kosova B në Obiliq. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell,  i cili qëndroi të enjten në Prishtinë, tha se BE ka mbështetur Kosovën  me 1 miliard euro në projekte të ndryshme, veçanërisht në energji dhe mjedis. 

“Bashkimi Evropian po mbështet Kosovën për të zbutur ndotjen e ajrit, duke investuar në ndërrimin e filtrave të Termocentralit Kosova B. Ky projekt duhet të implementohet në mënyrë që të përmirësohet shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve”.  

Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Ilir Morina, tha se Komisioni Evropian ka ndarë 70 milionë euro për filtra të Termocentralit Kosova B. Ai tha se është e vështirë të përmirësohet cilësia e ajrit brenda një kohe të shkurtër. 

“ Për “Kosovën B” është përgatitur donacioni, janë ndarë mjetet nga Komisioni Evropian mbi 70 milionë euro të cilat së shpejti do të hyjnë në proces për vendosjen e filtrave të ri. Gjithashtu kogjenerimi i ngrohtores së qytetit të Prishtinës është duke u bërë nga banka gjermane. Këto janë investime që po ndodhin në termocentrale për zhdukjen  e ndotjes  në të ardhmen”. 

Morina tha se brenda dy viteve Kosova B do të ketë filtrat e vendosur dhe do të jetë në nivelin e normales. Arsye e vonesës së ndërrimit të këtyre filtrave ishin arsye financiare. Por ai shton se përmirësimi i cilësisë së ajrit nuk mund të ndodhë shpejtë, për shkak se janë masa voluminoze  që kërkojnë shumë mjete, përkushtim dhe vullnet politik. 

Ndërrimi i filtrave, kogjenerimi nga termocentralet, futja e kontrollit teknik për matjen e gazrave dhe moslejimi i automjeteve që tejkalojnë normalen, pastaj ristrukturimi i orarit të transportit urban në qytet sidomos i Prishtinës, janë ato masa të cilat mendohen të përmirësohen.