09:24 / E Martë, 19 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Kosova, duhet të kërkojë dëmshpërblim nga Serbia për shkatërrimin e “Trepçës”

Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dje ka prezantuar studimin për çështjen e reparacionit për krimet e luftës të kryera në Kosovë dhe për çështjen e “Trepçës” në kontekstin e “Finales së madhe” eventuale midis Kosovës dhe Serbisë. Me këtë studim ky institut ka shqyrtuar shkallën e dëmeve dhe të shkatërrimeve të shkaktuara nga autoritetet e Republikës së Serbisë dhe ish-Republikës Federative të

Jugosllavisë në territorin e Kosovës, që del nga krimet e luftës.

Qëllimi përfundimtar i këtij studimi është të përcaktojë rolin dhe statusin e reparacioneve ose të dëmshpërblimit në të Drejtën ndërkombëtare për të kompensuar shkeljet ose dëmet e shkaktuara ndaj qenieve njerëzore dhe dëmet materiale të shkaktuara si rezultat i mizorive të kryera nga autoritetet e shtetit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Profesori Qerim Qerimi, ekspert në këtë institut, i cili në këtë konferencë prezantoi studimin për “Reparacionet për krimet e luftës”, tha se edhe pse disa gjëra nuk mund të kompensohen, Kosova duhet të kërkojë kompensim për dëmet materiale dhe njerëzore. Po ashtu, sipas tij, Kosova duhet të insistojë në kërkimfaljen nga Serbia dhe në garanci të mospërsëritjes.