18:14 / E Shtunë, 04 Qershor 2022 / C E

Kosova e bindur në një tjetër sukses pas fitores ndaj Qipros

Trajneri i Kombëtares së Kosovës Alain Giresse ka folur në një konferencë për media para ndeshjes me Greqinë, sfida e dytë kjo në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, pas fitores ndaj Qipros me rezultat 2-0.

Që në hyrje të konferencës trajneri francez deklaroi se kanë punuar shumë për t’u paraqitur sa më mirë në këtë ndeshje, por pranoi se ka shumë zgjidhje për formacionin startues dhe nuk e ka të lehtë të vendos për më të mirët.

“Padyshim se është zgjidhje e komplikuar duke pasur parasysh potencialin dhe grupin e lojtarëve të cilin e kemi, sidomos duke e ditur se në disa reparte kemi shumë lojtarë të cilët mund t’i përzgjedhim dhe në këtë rast sikur me sulmin, krahët e sulmit padyshim është shumë problematike. Mirëpo sot nuk do të zbulojmë se si do të paraqitemi nesër”, tha Giresse.

Ai përkundër faktit se ka mungesë në mbrojtje, tha se do të bëjnë më të mirën.

“Deri më tani jemi mësuar të shohim Mërgim Vojvidën i cili luan në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe në anën tjetër e kemi Hadërgjonajn, i cili luan në anën e majtë dhe pastaj kjo pjesa defanzive është gjithmonë problematike ndoshta për shkak se numri i lojtarëve të cilët luajnë në pozita specifike është i limituar, mirëpo ne do të tentojmë që me lojtarët që i kemi, siç kemi bërë edhe kundër Qipros të bëjmë zgjidhjen më të mirë”, theksoi Giresse.

Ndërsa sulmuesi shtatlartë i Kosovës, Vedat Murqi theksoi se ndeshja me Qipron ka dhënë sinjale se Kosova është një ekip i mirë, por Greqia është një rival që duhet respektuar edhe pse shton se tashmë i kanë analizuar dhe parë pikat e tyre të dobëta.

“Greqia është një kundërshtar shumë i fortë, por ne i dimë pikat e dobëta, i dimë aftësitë tona që i kemi si pika të forta. Nuk do e bëjmë gabimin që e kemi bërë në ndeshjen me Qipron në pjesën e parë, do të koncentrohemi maksimalisht edhe besoj se do të jetë një atmosferë ë jashtëzakonshëm këtu”, tha Muriqi.

Ndërkohë, Muriqi shtoi se nuk është duke menduar për të ardhmën e tij, pasi është i fokusuar në ndeshjet e kombëtares së Kosovës.

“Shkurt e shqip nuk po ma ndjenë. Tani pasi që e kemi kryer sezonin jam totalisht i fokusuar në ndeshjet e kombëtares…Për momentin nuk jam duke menduar për të ardhmen time, vetëm për këto tre ndeshje dhe pastaj, faktikisht kam kontratë me një ekip, kështu që do t’i vazhdoj përgatitjet sezonale me atë ekip që e kam dhe pastaj ndodhi çfarë ndodhi duhet të marrim vendime, nuk e di për momentin. Siç thash, kam kontratë dhe do vazhdoj atje”, theksoi Muriqi.

Ndryshe, Kosova shkon në ndeshjen me Greqinë si lidere e Grupit 2 në Ligën C të Ligës së Kombeve pas fitores me rezultat 2-0 në udhëtim nda Qipros.