75 Mall Live Search
15:39 / E Martë, 02 Korrik 2024 / LB

Kosova e Dyseldorfit, dëshmi e pasionit kuqezi për futbollin në zemër të Gjermanisë

Fortuna Dyseldorf është skuadra numër 1 e qytetit ku luhet Shqipëri-Spanjë. Mijëra shqiptarë jetojnë aty, të cilët do të mbështesin skuadrën e tyre të zemrës. Por në këtë qytet luan edhe një skuadër e gjitha shqiptare, që luan në ligat e ulëta të Gjermanisë, Kosova Dyseldorf.

“Në fillimet e para kemi luajtur vetëm miqësore, më pas nëpër turne. Në vitin 1993 jemi regjistruar në ligat gjermane dhe deri në vitin 1997 kemi kaluar 5 liga radhazi. Në vitin 2017 jemi bashkuar shumë biznesmenë e njerëz të sportit dhe tani jemi në ligën e gjashtë të Gjermanisë”, tregon për A2 CNN presidenti i klubit Bujar Neziri.

Kosova e Dyseldorfit ka në radhët e saj futbollistë nga gjithë trojet shqiptare, ndërsa biznesmenë të ndryshëm mbështesin financiarisht. “Po na ndihmojnë pa asnjë interes, e bëjnë për arsye patriotike”, thotë Neziri. “Edhe ekipet gjermane na kanë zili për organizimet që bëjmë. Jemi skuadra më e njohur mes ekipeve shqiptare në gjithë Gjermaninë, ndoshta edhe në Europë”.

Neziri tregon se në vitin 1997 në Dyseldorf u zhvillua edhe ndeshja e parë ndërkombëtare e përfaqësueses së Kosovës, pikërisht kundër Kosova Dyseldorfit. “Jam krenar për atë që kam bërë. Po atë vit janë luajtur këtu edhe ndeshjet e Superkupës së Kosovës”.

Përtej atdhedashurisë, skuadra ka objektivat e qarta sportive. “Po tentojmë që të arrijmë në Regional Liga, liga e katërt e Gjermanisë. Jemi në bisedime për të pasur një stadium tonin”.