23:36 / E Enjte, 29 Gusht 2019 / indeksADMonline

Kosova e gatshme për ndeshjen me Turqinë, optimizëm për sukses

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Turqinë, e cila zhvillohet nesër në mbrëmje në orën 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në seancën e cila ka zgjatur rreth 1 orë e gjysmë është punuar në skemat përfundimtare të lojës, por edhe në lojën në hapësira të vogla si dhe në koordinimin sa më të mirë ndërmjet reparteve.

Edhe në stërvitjen e sotme atmosfera në ekip ishte e shkëlqyeshme dhe të gjitha futbollistet e presin me padurim përballjen e nesërme me kombëtaren turke.

Motivi dhe besimi për nismë të mbarë të këtyre kualifikimeve vërehet tek secila prej futbollisteve, ndonëse kanë respekt për cilësitë e rivaleve.

Hyrja në stadium në ndeshje do të jetë falas, prandaj pritet që edhe numri i tifozëve për t’i përkrahur vashat tona në ndeshjen e tyre të parë të ciklit kualifikues për Euro 2021 të jetë e madhe, gjë e cila pa dyshim do t’i jepte atyre motiv shtesë./Indeksonline/