17:33 / E Diele, 10 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Kosova e nis me barazim turneun në Dubai

Kombëtarja U16 ka barazuar 1:1 në ndeshjen e parë kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, në turneun miqësor që po mbahet në Dubai.

Djelmoshat e drejtuar nga Besnik Kollari patën paraqitje të mirë në këtë duel, duke kaluar në epërsi qysh në minutën e 6-të, me golin e shënuar nga Eliot Llullaku.

Këtë epërsi “Dardanët” e rinj e menaxhuan mjaft mirë deri në finish të ndeshjes, kur mikpritësit e këtij turneu arritën t’i barazojnë shifrat, me golin e shënuar nga Haza Sabeid Khater, kur po zhvillohej minuta e 85-të.

Të martën, djelmoshat tanë do ta sfidojnë Belgjikën, derisa ndeshjen e fundit e luajnë kundër Çekisë, të enjten më 14 shkurt.