75 Mall Live Search
16:59 / E Diele, 07 Korrik 2019 / indeksADMonline

Kosova e Shqipëria flasin me një zë në mbrojtje të interesit kombëtar

Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj ka filluar të jap frytet e veta menjëherë.

Koordinimi i dy diplomacive bëri që të dy shtetet shqiptare të flasin me një zë sa i përket interesit të Kosovës, përkundër faktit që Bosnja nuk e ftoi Kosovën me statusin e njëjtë sikurse vendet tjera.

Refuzimi i palës kosovare që të marrë pjesë në Samitin e Evropës Juglindore bëri që edhe Shqipëria të tërhiqet nga pjesëmarrja, raporton Indeksonline.

Anulimin për pjesëmarrje në këtë Samit gjatë javës e bëri të ditur presidenti kosovar, Hashim Thaçi, i cili tha se sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale.

Pas Kosovës, anulimin e pjesëmarrjes në këtë Samit e bëri të ditur edhe kreu i diplomacisë në Shqipëri, Genc Cakaj.

Cakaj deklaroi se ky anulim po bëhet në shenjë solidariteti me Kosovën.

“Shqipëria e anulon paraqitjen në Samitin e SEECP në shenjë solidariteti me Kosovën. Tretmani nga organizatorët është i papranueshëm dhe është në kundërshtim që të krijoj një atmosferë besimi, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit. Nuk ka bashkëpunim pa tretman të barabartë. #TëBashkuarQëndrojmë”, ka thënë Cakaj.

Gjithashtu Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli deklaroi anulimin e pjesëmarrjes në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore që zhvillohet në Sarajevë.

Pacolli tha se mënyra se si është menduar të trajtohet delegacioni kosovar është e papranueshme./Indeksonline/