Kosova është gati që ta dërgojë FSK-në për gjetjen e Floriana Ismailit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova është e gatshme që të dërgojë edhe FSK-në për gjetjen e futbollistes shqiptare, Florijana Ismaili, e cila ka humbur ditë më parë në liqenin Como në Lombardi të Italisë.
Ai në rrjetin social Facebook ka shkruar se i ka dërguar letër ambasadorit zviceran në Kosovë, Jean Hubert Lebet, për kërkimin dhe shpëtimin e Ismajlit.
“I shqetësuar me lajmin për humbjen e Floriana Ismailit, që konsiderohet e zhdukur që nga e shtuna në Liqenin Como, sot i kam shkruar letër ambasadorit zviceran në Kosovë, Jean-Hubert Lebet. Si një vend partner me Zvicrën, pas konsultimit me Ministrinë e Mbrojtjes, kam shprehur gatishmërinë, që njësia e specializuar e Forcës së Sigurisë së Kosovës për Kërkimin dhe Shpëtimin të marrë pjesë në operacionin për shpëtimin e futbollistes së kombëtares zvicerane në futboll”, ka shkruar ai.
Kërkimet për gjetjen e futbollistes shqiptare, Florijana Ismaili janë duke vazhduar edhe gjatë ditës së sotme.
Lojtarja e Young Boysit u zhduk pasditen e së shtunës në liqenin Como në Lombardi të Italisë. Sot kërkimet janë duke vazhduar edhe me ndihmën e një roboti, që do t’i kryejë kërkimet në fund të liqenit, aty ku zhytësit e kanë të vështirë të arrijnë, kanë shkruar mediet zvicerane.
Shpresat që ajo të gjendet e gjallë pas kaq shumë orësh janë të vogla. Liqeni ku është zhdukur Ismaili besohet të jetë i thellë deri në 100 metra.