75 Mall Live Search
12:29 / E Hënë, 07 Mars 2022 / MSH

Kosova është me Ukrainën, në marsh morën pjesë edhe presidentja Osmani e ministrja Haxhiu

Në sheshin e Prishtinës sot është mbajtur një tubim simbolik në përkrahje të Ukrainës, e cila ka hyrë në ditën e 11-të nga pushtimi rus.

Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe figura të tjera të politikës.

Me pankarta që bëjnë thirrje për paqe në Ukrainë, për ndalim të luftës dhe me flamuj të Ukrainës, kësaj proteste iu bashkuan organizatat joqeveritare dhe qytetarë të shumtë.

“I jemi bashkuar botës demokratike, i jemi bashkuar aleatëve tanë edhe për të kërkuar përgjegjësi për krimet që po i kryen diktatori i luftës, Putin. Do të qëndrojmë të bashkuar dhe jam e bindur që edhe si në rastin e Kosovës, do të triumfojë liria dhe drejtësia”, ka thënë Osmani në këtë tubim.

Tubimi ishte ftuar nga deputeti i LVV-së, Haki Abazi.

“Mbledhimi para Teatrit Kombëtar është tregues i përcaktimit dhe bashkimit të popullit të Kosovës me të gjithë popujt paqedashës, që po protestojnë nëpër sheshet e të gjitha qyteteve të shteteve demokratike për ta kundërshtuar luftën dhe agresionin Rus dhe që hapur e pa hezitim po kërkojnë ndaljen e luftës dhe pushtimit të Ukrainës. Ne si popull, gjatë agesionit Serb në Kosovë kemi gjetur përkrahjen nga shtetet dhe popujt demokratik në ditët me të vështira të historisë sonë të re, kësisoj solidarizohemi dhe bashkëndjejmë dhimbjen e madhe, që populli Ukrainas po kalon këto ditë. Ju ftojmë, që me vete të merrni shiritat me ngjyra të flamurit Ukrainas apo të visheni dhe të mbani në duar pankarta dhe flamujt të Ukrainës dhe shteteve demokratike”, kishte thënë Abazi në ftesën për pjesëmarrje./Indeksonline/