Kosova iu bashkohet SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë në kundërshtimin e zgjedhjeve të manipuluara nga Maduro

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës i bashkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe aleatëve të tjerë në kundërshtimin e fortë të regjimit të Nicolas Maduro, pas manipulimit të zgjedhjeve për Asamblenë Kombëtare me ç‘rast u diskualifikuan dhe u persekutuan liderët opozitar dhe u cungua vullneti i lirë i qytetarëve të Venezuelës.
Shefja e diplomacisë kosovare, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, në reagimin e saj, tha se Kosova i merr me shqetësim gjetjet në raportit e Sekretariatit të Organizatës të Shteteve Amerikane (OAS) me të cilin rikonfirmohen krimet kundër njerëzimit të regjimit të Nicolas Maduros në Venezuelë.
“Shprehim kundërshtimin tonë të fuqishëm të përpjekjeve të regjimit të Maduros për të mashtruar botën me zgjedhjet jolegjitime, e të cilat nuk shprehim vullnetin real të popullit të Venezuelës”, thuhet në reagimin e shefes së diplomacisë kosovare, duke e bërë të qartë se zgjedhjet e mbajtura në Venezuelë nuk pasqyrojnë vullnetin e popullit atje.
Republika e Kosovës, e rreshtuar përkrah SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë, në mënyrë të vazhdueshme ka dënuar shkeljen e të drejtave të njeriut dhe shtypjen ndaj popullit të Venezuelës.