“Kosova ka kaluar pengesën kryesore drejt liberalizimit të vizave, para nesh janë këta gjashtë hapa”

Leotrim Berisha
Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian miratuan sot vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel.
Ministrat e miratuan këtë vendim “në lexim të parë”, pa diskutime, pasi për këtë më herët në takim të ambasadorëve ishin pajtuar përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare.
Por, edhe sa hapa kanë mbetur deri të liberalizimi i vizave.
Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha ka treguar se çka nënkupton vendimi i sotëm si dhe sa hapa kanë mbetur deri lëvizja e lirë. Shasha poashtu ka treguar se a paraqet ndonjë pengesë shtyrja për hyrjen në fuqi të sistemit Etias.
IndeksOnline: Çka nënkupton vendimi i sotëm?
Shasha: Vendimi i sotëm nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian ka pasur rëndësi kyçe për procesin e liberalizimit të vizave pasi që ka qenë pikërisht Këshilli ai i cili ka bllokuar këtë proces nga viti 2018. Pra sot Kosova ka kaluar pengesën kryesore drejt liberalizimit të vizave.
IndeksOnline: Edhe sa hapa kane mbet deri të liberalizimi i vizave?
Shasha:Para nesh janë tani gjashtë hapat, por kryesisht procedural dhe ceremonial, nga të cilët nuk pritet asnjë komplikim:
- Komisioni për Liritë Civile, Pune të Brendshme dhe Drejtësi miraton plotësim-ndryshimin e Rregullores 2018/1806
- Seanca plenare e PE-së miraton plotësim-ndryshimin e Rregullores 2018/1806
- Ceremonia e nënshkrimit
- Publikimit i Rregullores 2018/1806 në Gazetën Zyrtare të BE-së
- Hyrja në fuqi (20 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së)
- Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Shengen
IndeksOnline: A paraqet pengesë shtyrja për hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS?
Shasha: Jo, pasi që rregullorja ka paraparë që liberalizim i vizave për qytetarët e Kosovës do të hy në fuqi jo më vonë se 1 janar 2024. Pra edhe nëse shtyhet përsëri funksionalizimi i ETIAS-it, qytetarët e Kosovës patjetër nga 1 janar 2024 do të lëvizin lirshëm drejt zonës Shengen.