75 Mall Live Search
23:53 / E Mërkurë, 01 Korrik 2026 / Z S

”Kosova ka mbërritur aty ku ka dashur Serbia”, Gjini me akuza për qeverinë Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër qeverinë, duke e akuzuar për dobësim të pozitës së Kosovës në disa fusha strategjike.

“Kosova ka mbërritur ekzaktësisht aty ku ka dashur Serbia, duke cenuar marrëdhëniet me Amerikën. Kosova ka mbërritur aty ku Serbia ka dashur të dështojë në përpjekjet për integrimin e pakicave. Ne po tregojmë një pjesë të qytetarëve që thonë ‘nuk e duam shtetin e Kosovës’”, tha Gjini ndër tjera, raporton RTV21.

Ai ka deklaruar se zhvillimet e fundit ekonomike dhe politike nuk përjashtojnë mundësinë e protestave në Kosovë.

“Me rrjedhën që e ka marrë ekonomia dhe politika e Kosovës nuk përjashtohet protesta. AAK nuk kërkon kauza, nuk jemi parti që nxit padëgjueshmëri qytetare. Në këto raste, janë disa vija të holla që e ndajnë durimin e njerëzve që janë duke jetuar gjithnjë e më keq dhe, në krahasim me vendet e rajonit, jemi duke degraduar edhe më tepër. Distanca në standardin e jetesës mes Kosovës dhe vendeve të rajonit po rritet”, tha Gjini.

Ai shtoi se, nëse vendimet e Qeverisë prekin interesat strategjike të vendit, do të ketë edhe reagim qytetar.

“Nëse refuzimi i gazit amerikan ka me qenë afër definitiv nga kjo qeveri, Ardian Gjini ka me qenë i pari që ka me dalë në rrugë, sepse nuk ka me pas më dilema. Nëse vazhdohet në këtë drejtim, fëmijët tanë kanë me pagu çmim me dekada e më shumë”, tha Gjini.

Tutje Gjini shtoi “Nëse Kosova ka me rreziku synimin e vet strategjik që nga 1994 nuk mundem me qenë indiferent unë, si politikan apo si qytetarë do të dalë në rrugë.”/Indeksonline/