75 Mall Live Search
11:38 / E Hënë, 09 Dhjetor 2024 / k.v

Kosova kërcënohet nga ekonomia joformale dhe korrupsioni

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), ka organizuar tryezë diskutimi me temën “Roli i integritetit të institucioneve, planeve të integritetit dhe politikave kundër Korrupsionit”, në kuadër të Javës së Integritetit 2024.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj ka apeluar te zyrtarët shtetëror që të njdekin rrugën në luftën kundër korrupsionit.

“Sfidat me të cilat përballen janë të mëdha por përkushtimi juaj do të kontribuojë për parandalimin e korrupsionit, në mënyrë që të shënojë progres ashtu siç kemi vlerësim ndërkombëtar dhe vendor. Duhet ta rrisim standardin e punës sonë. Ju bëj thirrje që ju si zyrtarë të frymëzoni kolegët tuaj dhe stafit tuaj për ta ndjekë këtë rrugë etike dhe të drejtë. Kjo javë ka shumë aktivitete vetëdijësuese dhe tregon se lufta kundër korrupsionit nuk është detyrë vetëm e jona dhe dua t’i falënderoj mediat që përçojnë zërin tonë, të cilat janë edhe një lloj roje për zyrtarët publikë”, tha ai.

Drejtori i Njësisë për Inteligjencë Financiare, Behar Xhema, tha se dy gjërat më së shumti e kërcënojnë Kosovën në nivel të brendshëm, janë ekonomia joformale dhe korrupsioni.

“Njësia për Inteligjencë Financiare është institucion kombëtar i pavarur, përgjegjës për kërkimet dhe shpërndarjen e informatave të inteligjencës me qëllim të luftimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve financiare në përgjithësi. Duke qenë se korrupsioni në nivel vendi, bazuar në vlerësimet e rreziqeve kombëtare të kryera në vitin 2013 dhe 2020, të dyja të miratuara nga Qeveria e Kosovës, tregojnë që në Kosovë në nivel të kërcënimeve serioze, janë ekonomia joformale dhe korrupsioni”, u shpreh ai.