75 Mall Live Search
10:33 / E Martë, 09 Dhjetor 2025 / P M

Kosova kërkon vëmendjen e SHBA-së për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit

Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, priti në një takim zëvendësdrejtorin për Evropën Jugore dhe Qendrore (SCE) në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Lyn Debevoise.

Gjatë takimit, zëvendësministri Ahmeti u njoftua me prioritetet e SCE-së për Kosovën dhe rajonin, ndërsa theksoi progresin e arritur dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, veçanërisht në fushat e diplomacisë, ekonomisë dhe mbrojtjes. Ai gjithashtu informoi z. Debevoise për shqetësimet lidhur me veprimet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, si dhe për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Në takim u vlerësua angazhimi i përbashkët për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zëvendësministri Ahmeti dhe zëvendësdrejtori Debevoise ripohuan se Kosova dhe SHBA-ja ndajnë prioritete të përbashkëta në forcimin e stabilitetit rajonal, promovimin e vlerave demokratike dhe thellimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, duke u mbështetur mbi miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve.