75 Mall Live Search
22:44 / E Mërkurë, 15 Tetor 2025 / Gj Sh

Kosova luan ndaj kampionës së botës, ishte privilegj, rezultati nën nivel

Kombëtarja e Kosovës në hendboll e ka zhvilluar të mërkurën mbrëma ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2026.

Në Nimes, në praninë e 2200 shikuesve, vajzat tona u përballën me kampionen në fuqi të botës, Francën.

Rezultati në fund ishte 43:12 në të mirë të Francës.

Vajzat tona janë angazhuar maksimalisht, por pa rivalizuar top-hendbollistet franceze.

Në Kombëtare është duke u bërë ndryshimi i gjeneratës, ndërsa rastin e fituan shumë lojtare të reja. Selektori Agron Shabani i ka aktivizuar të gjitha lojtaret.

Te Kombëtarja jonë mungoi një ekip i tërë: Leonora Demaj, Mirela Gjikokaj, Dafina Mustafa, Albina Rugova, Fitore Aliu e disa lojtare të tjera.

Të gjitha lojtaret kanë dhënë më të mirën e mundshme, ndërsa në rezultat ndikoi edhe forma e lartë e portiereve franceze që i kishin plot 25 pritje.

Më efikasja në Kombëtaren tonë ishte Merlinda Qorraj me gjashtë gola.

Arona Krasniqi i kishte dy, kurse Mirjeta Bytyqi, Xhesika Mehmetaj, Elisa Mulaj e Tina Hetemi nga një.

Menjëherë të dielën nga ora 17:15 në Prishtinë është ndeshja tjetër sfiduese me Kroacinë.

Vajzave tona u duhet përkrahja në këtë fazë të rëndësishme.