75 Mall Live Search
18:04 / E Premte, 08 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Kosova-Luksemburgu nënshkruan marrëveshjen për heqjen e tatimit të dyfishtë

Ministri i Financave Bedri Hamza dhe homologu i tij nga Luksemburgu Pierre Gramegna nënshkruan marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë ndërmjet dy shteteve, e cila do të avancojë marrëdhëniet ndërshtetërore në një nivel shumë më të lartë.

Ministri Hamza gjatë takimit në Luksemburg vlerësoi lart bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe falënderoi shtetin e Luksemburgut për mbështetjen e ofruar për anëtarësimin e Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare me theks të veçantë anëtarësimin  në organizatën botërore të Doganës.

Ndërsa, ministri i Financave të Luksemburgut Pierre Gramegna shprehu gatishmërinë që ta ndihmojë Kosovën në çdo projekt, i cili ndikon në ngritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës në zhvillimin ekonomik.

Ministri Gramenga po ashtu me respektin më të madhe pranoi  ftesën e ministrit Hamza për ta vizituar Kosovën në pjesën e parë të vitit 2018, dhe për të iniciuar së bashku projektet e zhvillimit ekonomik për interes të përbashkët e dy shteteve dhe Bashkimit Evropian në përgjithësi.

Të dy ministrat u pajtuan se marrëveshja e nënshkruar sot ndihmon në investimet e përbashkëta në të dyja vendet.