Kosova me 109 mijë vetura të paregjistruara
Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka folur për tregun e sigurimeve në Kosovës si dhe me problemet që përballen kompanitë e sigurimeve.
Ai ka thënë se problem për ketë industri paraqet numri i madh i veturave të pa regjistruara të cilat qarkullojnë në komunikacion.
“Është shqetësuese numri i automjeteve të paregjistruara, pasi shkaktojnë humbje të mëdha, qoftë për buxhetin e shtetit, por edhe për kompanitë e sigurimeve. Nëse flasim me shifra, janë diku pesë milionë euro në vit për industrinë e sigurimeve dhe pesë milionë euro për buxhetin e vendit, për mos inkasimin e taksave si dhe mosregjistrimin e automjeteve. Referuar të dhënave të fundit, numri i automjeteve të paregjistruara në Kosovë është 109 mijë, por mund të jetë edhe më i madh se kaq”, ka thënë Mazreku.
Sipas tij, shqetësuese mbetet numri i madh i veturave të pa regjistruara që shkaktojnë aksidente.
“Është shqetësim tepër i madh i automjeteve që po shkaktojnë aksidente në rrugët e Kosovës. Ju e dini që Policia e Kosovës kohë pas kohe bënë kontrollin e veturave në komunikacion duke verifikuar se cilat vetura nuk janë në rregull duke proceduar tutje nëse ato automjete nuk janë teknikisht në rregull”, tha Mazreku.
Ai në një intervistë për Telegrafin ka treguar se vjetërsia e veturave të cilat qarkullojnë në rrugët e Kosovës, është mbi 13 vite dhe krahasuar me rajonin, kemi vjetërsi më të madhe.
Sipas Drejtorit të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, duhet një vetëdijesim më i madh i qytetarëve për sigurimin shëndetësorë.
Mazreku ka thënë se sigurimet Shëndetësore Publike janë risi në tregun e Kosovës, i cili do t’i mbulojë disa kategori të sigurimeve, por nuk do të thotë se mbulon edhe sigurimin e jetës.
“Kemi pasur disa takime me Sindikatën e Policisë së Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, gjithashtu i kemi dërguar një letër edhe kryeministrit Ramush Haradinaj, ku kemi kërkuar që të ndahet një fond për sigurimin e pjesëtarëve të policisë. Kemi dërguar oferta dhe varësisht se cilës pako të vijë te një vlerë e caktuar për t’i siguruar policët”, thekson Mazreku.
Ai ka treguar se për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër, përveç problemeve politike duhet të ulet edhe numri i automjeteve të pa regjistruara.
“Përveç problemit politikë që kemi lidhur me Kartonin e Gjelbër, ekziston edhe problemi i brendshëm që është numri i automjeteve të paregjistruara. Përce kushtit të anëtarësimit në OKB, ekziston edhe kushti që nuk mund të jetë më i madh se 5 për qind numri i automjeteve të paregjistruara. Deri sa numri i këtyre automjeteve në Kosovë, është mbi 30 për qind, atëherë e merrni një përgjigje se ne kemi një problem të brendshëm dhe për këtë arsye është propozuar të arrihet një plan i veprimit konkret se si të ulët numri i automjeteve të paregjistruara, si kusht tjetër për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër”, ka thënë drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku.