75 Mall Live Search
09:31 / E Martë, 10 Shtator 2024 / S Z

Kosova me mungesë të investitorëve të mëdhenj

Vëllimi i investimeve të huaja direkte në Kosovë ka shënuar rritje përgjatë 3-4 vjetëve të fundit, por jo nga korporatat e mëdha, deklaron kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.
Sipas tij, kjo rritje e investimeve është në sektorin e patundshmërisë e të ndërtimtarisë, si dhe në sektorin e financave, ndërsa ekonomia vuan nga mungesa e investitorëve të huaj.

“…ne nuk kemi investime të lojtarëve të mëdhenj. Nuk kemi investime të korporatave. Nuk kemi investime që ne në Odën Amerikane i quajmë në astete produktive, astete të cilat do të ndikonin në ndonjë profitabilitet më të madh dhe rritje më të madhe të vlerës së atyre investimeve. Arsyet që qojnë në mungesë të investimeve të korporatave të mëdha, është 1: pasiguria e madhe e cila rezonohet nga Kosova dhe e cila shihet në sytë e investitorëve. Ne bëjmë pak që t’u ofrojmë atyre garanci dhe bëjmë shumë pak për të ndryshuar përceptimin negativ që ekziston për Kosovën. E këtu përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet e vendit, ministrinë përkatëse dhe natyrisht edhe akterët e tjerë shtetërorë…”. tha Zeka për rtv21

Zhvillimet politike dhe të situatë së sigurisë, konsiderohen ndër faktorët që po zmbrapsin investitorët e huaj.

Sipas ekonomistit Adem Qorrolli, edhe retorika e luftës dhe problemet me shtetin fqinj, po ndikojnë që investitorët të mos kenë siguri për të zhvilluar aktivitetin e tyre në Kosovë.
Gjithashtu, ai nënvizon edhe penalizimin që ka marrë Kosova nga masat e BE-së.

“…në bazë të publikimeve të BQK-së ajo tregon shumë thjeshtë se investimet e huaja ndërlidhen vetëm me investimet kapitale të vendit. Kështu që investimet e huaja të mëdha janë nga remitencat sepse investim i huaj direkt quajmë atëherë kur ne marrim një korporatë rë madhe e serioze që investon në Kosovë. Ku ajo ndikon menjëherë në rritjen e brutoproduktit vendo, në hapjen e vendeve të punës, ku ne nuk kemi një korporatë të tillë sepse sdo të mungonte nga institucionet as pjesa e marketingut…”, tha Qorrolli.

Oda Ekonomike Amerikane konsideron se institucionet duhet ndryshuar në masë të madhe qasjen karshi investitorëve të mundshëm potencial dhe që të eliminojë burokracinë e panevojshme.