75 Mall Live Search
09:25 / E Mërkurë, 13 Dhjetor 2023 / MSH

Kosova merr përkrahje të madhe për hetimin e sulmit në Banjskë, Kearns publikon letrën që i dërgoi Lajçakut e Borrellit

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka kërkuar sot nga Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak që të hiqen të gjitha masat e BE-së ndaj Kosovës dhe të hetohet sulmi në Banjskë.

Në një letër të iniciuar nga vet Kearns dhe nënshkruar nga 13 kryetarë të komisioneve parlamentare, kërkohet që sulmi në Banjskë të hetohet plotësisht e më pas të publikohen rezultatet.

“Në dritën e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ne shkruajmë për të kërkuar që të gjitha masat negative kundër Kosovës të anulohen dhe të rifillojë bashkëpunimi i plotë me Qeverinë e Kosovës”, thuhet në letër.

Kearns ka theksuar se bojkoti i zgjedhjeve komunale të 23 prillit është projektuar nga Lista Serbe, ndërkaq sulmi në Banjskë është bërë për të minuar dhe destabilizuar Kosovën, raporton Indeksonline.

“Bojkoti i zgjedhjeve komunale të projektuara nga Lista Serbe, më 23 prill, sulmi ndaj KFOR-it më 29 maj, ndalimi arbitrar i policëve kosovarë nga autoritetet serbe më 14 qershor dhe sulmi në Banjskë më 24 shtator zbulojnë një model agresioni të krijuar për të minuar dhe destabilizuar Kosovën. Është jetike që komuniteti ndërkombëtar të refuzojë irredentizmin dhe agresionin dhe të riafirmojë mbështetjen për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës” thuhet tutje në letër.

Letra e nënshkruar nga kryetari i komisionit nga Çekia, Irlanda, Gjermania, Letonia, Lituania, Estonia, Belgjika, Kroacia, Danimarka, Italia dhe Bullgaria, shkruan se sulmi i orkestruar i Banjskës mund të kishte përshkallëzuar më gjerë, “po të mos ishte profesionalizmi dhe guximi i Policisë së Kosovës, njëri prej të cilëve u vra tragjikisht”.

“Sasia dhe lloji i armatimit të konfiskuar pas sulmit ngre pyetje serioze se çfarë roli mund të ketë pasur shteti serb në mbështetjen e operacionit. Ne i bëjmë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar që të ndërmarrin një hetim të plotë mbi sulmin në Banjskë dhe të angazhohen për publikimin e rezultateve” shkruhet në letër./Indeksonline/