14:47 / E Martë, 20 Shtator 2022 / L K

Kosova merr pjesë në panairin e famshëm botëror të purove

A.J. Fernandez, Arturo Fuente, Ashton, Casa Turrent, Drew Estate, E.P. Carillo, J.C. Newman, Habanos, Maya Selva, My Father, Oliva, Padrón, PDR, Plasencia, Rocky Patel, Villiger…këto janë disa nga shtëpitë më të fuqishme të botës së cigareve puro në botë.

E bota e puro cigareve nuk është aspak risi në Kosovë. Trendi i përdorimit të tyre vazhdimisht ka qenë në rritje, sidomos viteve të fundit. E me këtë është rritur edhe nevoja që vendi ynë të lidhet me prodhuesit kryesorë në botë.

E ku më së miri, nëse jo atje ku po mbahet panairi dhe spektakli më i madh botëror i purove, Intertabac 22, në Dortmund të Gjermanisë. Atje, Kosova po përfaqësohet nga Cigar World Kosova, kompani e cila denjësisht po përfaqëson vendin tonë.

Nga kompania njoftuan se qëllimi i tyre nuk është vetëm tregtar, por ka edhe nuanca të diplomacisë. Kjo nga shkaku se këtë hobi, historikisht e kultivon një shtresë e rëndësishme e popullatës botërore, përfshirë diplomat e intelektual.

“Misioni ynë filloi qyshë nga ftesa që e morëm si kompani dhe procesi i regjistrimit që ishte i domosdoshëm. Duke qenë se në listë nuk figuronte Kosova si shtet, e mora përsipër të nis “betejë” për ta përmirësuar këtë gabim. E atje, vendosëm kontakte të rëndësishme të cilat do ti kultivojmë si për kompaninë ashtu edhe për vendin tonë”, deklaroi Erduan Musliji, përfaqësuesi i Cigar World Kosova, një “aficionado” i cigareve puro dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Sipas tij, qëllimi i vizitës është afirmimi dhe afrimi përmes kësaj industrie, i Kosovës me botën e Karaibeve dhe gjitha vendet tjera ku lulëzon industria e duhanit. Intertabac 22, mbahet në Dortmund, zgjat disa ditë dhe aty vendoset një pjesë e rëndësishme e së ardhmes së industrisë së purove dhe jo vetëm!