19:36 / E Enjte, 22 Tetor 2020 / OSH

Kosova mirëpriti grupin e parë të turistëve nga Shqipëria, “Pusho Shqip”, moto e vitit

“Pusho Shqip” është moto e këtij viti, një fushatë kjo ndërmjet dy Kosovës dhe Shqipërisë. As këtë vit shtetasit kosovarë nuk e tradhëtuan shtetin amë, pavarësisht pandemisë ata morën rreze dielli dhe kaluan pushimet verore në bregdetin shqiptar.

Ndërsa, Kosova do të jetë në sezonën e dimrit zgjedhja e shtetasve shqiptar.

Të parët vizitorë që erdhën nga Shqipëria, ishin stafi i resortit Fafa nga Durrësi.

Atyre mirëseardhje në Kosovë iu uroj Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor dhe Turizmit, Ruzhdi Kurtishaj.

“Mirë se keni ardhë në vendin e shqipeve, si andej bjeshkëve edhe këndej bjeshkëve, andej detit dhe këndej detit. Unë jam shumë i lumtur që iu pres të gjithë këtë staf të madh që ka gjiganti turistik Fafa në Durrës. Jam shumë i nderuar me prezencën e ambasadorit të Shqipërisë, Qemal Minxhozi, i cili nuk ka munguar për asnjë aktivitet të vetëm që ka për qëllim shkëmbimin tregtar, nxitjen e zhvillimit turistik dhe bizneseve në Shqipëri e Kosovë. Por, ndjehem shumë i lumtur që pas një situate tejet të rëndë dhe vazhdojmë ta kemi sa i përket pandemisë, sot për herë të parë po bëjmë edhe pritjen madhështore të grupit të kompeksit Fafa në Prishtinë, në shenjë falenderimi që iu po i bëni për vëllezërit kosovarë që gjatë gjithë sezonës verore”.

Mirë se ardhje atyre iu uroj edhe ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi. Ai madje bëri apel që edhe kompanitë e tjera turistike ta bëjnë të njëjtën gjë sikurse Sharr Travel, që të sjellin turistë shqiptar në Kosovë.

“Kjo tregon se ju nuk dini vetëm të prisni, por edhe të vizitoni. Të ktheni nga pritës turistësh në turistë dhe vini në një rajon të rëndësishëm të kombit, i cili ka mbajtur peshën kryesore të turizmit në Shqipëri, bashkë me të gjithë bashkëatdhetarët kudo që janë. Dhe shpresoj që grupe si ky të vijnë sa më shumë në Prishtinë, ta vizitojnë sa më tepër Kosovën, në mënyrë që ky bashkëpunim që ka fillu tashmë i suksesshëm të thellohet dhe më tej në të ardhmen. Jam shumë i bindur që në Kosovë det nuk ka, por ka një det miqësie, ka një det dashurie, për ju që i keni shërbyer vëllezërit tuaj nga Kosova do ta gjeni të njëjtën dashuri edhe këtu, në këtë vend që keni ardhë. Bëj apel që edhe kompanitë të tjera turistike nga Shqipëria, të organizojë grupe turistike për ta vizituar në këtë vjeshtë të bukur Prishtinën dhe Kosovën”.

Ndërsa nga kompleksit Fafa foli Arditi, ai falënderoj Ruzhdi Kurtishajn për mbështjetjen jo vetëm në këtë vit të vështirë, por në vazhdimësi.

“Kjo qe një fryt bashkëpunimi midis neve dhe Sharr Travel. Ashtu siç e tha ambasadori, ne s’dimë vetëm të presim, por edhe të vizitojmë. Në këtë rast bëjmë shkëmbime eksperiencash. Është viti i tretë radhazi që ne si kompleks, të shkojmë të vizitojmë një vend dhe jo vetëm të kalojmë mirë, por edhe të mësojmë diçka nga ai vend”.

E Albulen Ndrepepaj, menaxher në këtë hotel, tha se është hera e parë që i viziton Kosovën, teksa thotë se Kosova është ndër vendet që duhet të vizitohet për bukuritë natyrore që ka.

“Është hera e parë që vi në Kosovë dhe në Prizren ishte ndalesa jonë e parë, ishte një ambienti i bukur fantastik me një histori të rrallë, duke vazhduar me vizitat tjera dhe vendet historike që i ka Prizreni.

Është një ndër vendet që duhet të vizitohet patjetër sidomos për bukuritë natyrore që të ofron Kosova si Brezovica e vendet tjera”, tha ai./Indeksonline