75 Mall Live Search
10:54 / E Hënë, 02 Tetor 2017 / indeksADMonline

“Kosova model suksesi për diplomacinë ndërkombëtare”

Nën organizimin e Akademisë Diplomatike nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe me mbështetje të Fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung, filloi punimet konferenca e katërt me radhë e Shkollës Diplomatike për diplomatët e rinj dhe me përfaqësim nga vende të ndryshme të botës, me temën “Të drejtat e Njeriut dhe Demokracia”.

Me këtë rast, foli edhe zëvendës-kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

“Si të gjithë e dinë, Prizreni konsiderohet nga media e gjithë botës si njëlloj Kryeqyteti i bashkëjetesës fetare dhe ndëretnike. Dhe, tema është e qëlluar në kohën e duhur, në vendin e duhur”, ka thënë ai.

Pacolli ka folur edhe për ndihmën, që vendi i ri dhe i vogël si Kosova mund të ofrojë në diplomacinë ndërkombëtare.

“A mundet Kosova e vogël, të ndihmojë me diçka mendimin diplomatik botëror, eksperiencën e një diplomati? Sado paradoksale të duket si pyetje, unë besoj se të gjithë duhet t’i përgjigjemi me PO. Kosova, i jep shembull popujve që vuajnë diskriminimin etnik me eksperiencën e vet në luftën për shtet-formim, për demokraci dhe të drejta njerëzore, me Ibrahim Rugovën, të mbiquajtur Gandi i Europës. Kosova është shembull edhe për tolerancën ndaj pakicave. Pakica serbe ka me Kushtetutën tonë dhe në praktikë, një paket të drejtash, që nuk i ka asnjë pakicë tjetër në botë”, ka vlerësuar Pacolli.

Me një fjalë të pranishmëve i është drejtuar edhe Drejtori i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, Ambasador, Beqir Ismaili. “Shkolla Diplomatike përfaqëson aktivitetin më të rëndësishëm, në kuadër të Akademisë Diplomatike. Andaj, duke pasur parasysh ndihmën e shteteve demokratike në ndërtimin e shtetit të Kosovës, duke pasur të qartë rolin dhe rëndësinë e të Drejtave të Njeriut në zhvillimin e shtetit të Kosovës, këto dy tema janë bosht i shtet-ndërtimit dhe zhvillimit të Republikës sonë”, ka thënë Ismaili.

Shkolla diplomatike për diplomat të rinj vlerësohet si njëri nga aktivitetet më të rëndësishme vjetore të Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila bashkon diplomatë të rinj nga e gjithë e bota.

E veçanta e këtij viti është pjesëmarrja edhe e diplomatëve të rinj nga Tajlanda, veç diplomatëve nga vendet e rajonit si Kroacia, Bullgaria, Maqedonia dhe Mali i Zi./AktivPress