75 Mall Live Search
19:50 / E Premte, 07 Tetor 2022 / Gj. Sh

Kosova mposhtet edhe nga Ukraina në futsall

Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje edhe në ndeshjen e dytë kualifikuese në kuadër të fazës së “Main Round” në kualifikimet e Botërorit 2024.

Pas humbjes nga Holanda, “Dardanët” janë mposhtur edhe nga Ukraina.

Ndeshja e zhvilluar sonte në Salaspilis të Letonisë, ka përfunduar me rezultatin 3:1.

Kosova kaloi e parë në epërsi, pas golit të shënuar nga Fejza Kastrati në minutën e parë.

Ihor Cherniavskyi barazoi për ukrainasit në minutën e 14-të, për të shkuar në pushimin mes pjesëve me rezultat të barabartë.

Ukraina ishte më e mirë në pjesën e dytë, kur shënoi edhe të dy golat e fitores.

Ihor Korsun shënoi në minutën e 23-të, kurse Andrii Melnyk pas tre minutave.

Kosova mbetet e fundit në Grupin 11 dhe pa pikë, teksa Ukraina renditet e dyta me 3 pikë, aq sa ka edhe Holanda si lidere.

Ekipi i parë në renditje kualifikohet në “Elite Round”, derisa ekipi i dytë luan në “Play-Off”.

Kosova ndeshjen e radhës do ta luajë sërish kundër Ukrainës, më 8 nëntor. Kjo ndeshje do të zhvillohet në Prishtinë.