09:11 / E Hënë, 21 Tetor 2019 / indeksADMonline

Kosova, nënshkruan marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë me Arabinë Saudite

Ministri i Financave Bedri Hamza në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Uashington, së bashku me ministrin e Financave të Arabisë Saudite, Mohammed Al-Jadaa, kanë nënshkruar marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite .
Sipas, ministrit Hamza kjo marrëveshje do të jetë një akt ligjor, që do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset të të dyja vendeve dhe njëherësh është një mjet shtesë ligjor për të motivuar dhe përfituar investime të huaja në vendin tonë.

Ministri Bedri Hamza gjatë vizitës në Uashington, gjithashtu u takua edhe me zyrtarët e lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, duke përfshirë takimin me zëvendësdrejtorin ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar Tao Zhan, me zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Evropën Poul Thomsen, me zëvendësdrejtorin e Bankës Botërore për Evropë dhe Azinë Qendrore Cyril Muller, si dhe me drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Linda Van Gelder. Me këtë rast ministri Hamza i njoftoi përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore për stabilitetin makro-fiskal dhe zhvillim ekonomik të Kosovës, si edhe planet për të ardhmen.

Ndërsa, zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, e përgëzuan ministrin Bedri Hamza për progresin e deritashëm financiar dhe ekonomik të Kosovës, që si rezultat i kësaj Republika e Kosovës tashmë është në top 20 reformatorët më të mëdhenj të Doing Businessit për këtë vit në raportin e Bankës Botërore. Ata gjithashtu konfirmuan mbështetjen e mëtutjeshme për Ministrinë e Financave, por edhe për institucionet të tjera në vend.