Kosova pa humbje në Arbitrazh, me Albulena Haxhiun ministre

Institucioni mikrofinanciar “IUTE CREDIT” kishte çuar në arbirtrazh ndërkombëtar Republikën e Kosovës, në shkurt të vitit 2020.
Deri të ky arbirtrazh erdhi pasi Banka Qendrore e Kosovës i mori licencën kësaj banke, raporton Indeksonline.
Në kohën kur institucioni mikrofinanciar estonez kishte dërguar vendin në arbitrazh, pati deklaruar se licenca i ishte marrë pa ndonjë sqarim.
“Pasi që Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dhënë një shpjegim ose zgjidhje në lidhje me heqjen e papritur dhe të paligjshme të licencës nga Iute Credit Kosova, kompania mëmë ka paraqitur një kërkesë për arbitrazh në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë”, thuhej në njoftimin e Iute Credit.
Madje, drejtori i përgjithshëm i Iute Credit aso kohe u pat shprehur se Ligji mbi Investimet e Huaja e lejonte një investitor të huaj që të ndjekte arbitrazhin ndërkombëtar, nëse nuk dëshironte të përdorte mjetet juridike vendore.
Sipas tij, Iute Credit nuk donte të ndjekte rrugët ligjore në Kosovë, aty ku “nuk mund të mbështetet në një proces gjyqësor vendor ose administratë publike transparente”.
Kompania në fjalë deklaroi para arbitrazhit ndërkombëtar se Kosova shkeli detyrimet ligjore në momentin kur revokoi licencën e Iute Credit.
Përballë këtij arbitrazhi, Republika e Kosovës sot triumfoi.
Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Avokaturën Shtetërore mbrojtën Republikën e Kosovës në këtë çështje, duke i kursyer vendit mbi 30 milionë euro.
“Republika e Kosovës fiton edhe një rast në arbitrazhin ndërkombëtar” u shpreh ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
I lumtur për këtë fitore u shprehe dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Ai tha se Kosova u përfaqësua dinjitetshëm në këtë arbitrazh.
“Ministria e Drejtësisë, së bashku me Avokaturën Shtetërore, janë siguruar që Kosova të përfaqësohet dhe mbrohet denjësisht gjatë gjitha fazave të procedurës në arbitrazh, duke ia përkushtuar të gjitha resurset e nevojshme ekipit mbrojtës për ta bërë të mundur këtë rezultat” shkrooi Kurti.
Kontribues në këtë fitore ishte edhe firma e avokaturës, Squire Patton Boggs, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Indeksonline/